Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka folur paraditen e kësaj të hëne nga qendra e vaksinimit në sheshin Skënderbej, duke theksuar se objektivi i tyre është që të kalojnë 10 mijë vakisnime në ditë.

Manastirliu shprehet se të dielën janë vaksinuar 11 mijë e 484 persona, ndërsa deri në këto momente në total janë vaksinuar mbi 78 mijë, bashkë me vaksinimiet e kryera ditën e sotme.

Përveç sheshit skënderbej, po vijon vaksinimi edhe në qendrën tek Arena Kombëtare dhe në të gjitha qendrat shëndetësore në qytetet e tjera të vendit.

“Siç e shihni procesi në qendrën e madhe të vaksinimit në sheshin Skënderbej ka filluar. Dita e dytë sot dhe siç shihet procesi po vijon normalisht. Ka rregull dhe gjithashtu po vijon sipas të gjitha parashikimeve. Mjekët, infermierët, vaksinatorët dhe i gjithë ekipi ynë i njësisë vendore të kujdesit shëndetësorë Tiranë, është duke koordinuar punën jo vetëm në qendrën e vaksinimit të përqendruar këtu në sheshin Skënderbej, por edhe tek Arena Kombëtare ku po vijon vakisnimi i mësuesve, i të moshuarve, vakisnimi me dozën e dytë për personelin mjekësor që po përfundon tashmë. Gjithashtu vijon vaksinimi në të gjitha qytetet. Ne jemi shtrirë në mënyrë kapilare në të gjitha qendrat shëndetësore por edhe në qendrat e vaksinimit të përqendruar në të gjitha rrethet.

Procesi ka ecur normalisht. Dje kemi arritur të vaksinojmë 11 mijë e 487 persona, kemi arritur targetin që kishim vendosur dhe sigurisht targeti ynë i përditshëm është që ta kalojmë 10 mijë vaksinime në ditë. Vaksinimi shpëton jetë. Ne jemi të vendosur që të vijojmë me intensitet të lartë kryerjen e këtij procesi jetik dhe për ta shtrirë atë në të gjitha qendrat shëndetësore.

Do ta përfundojmë këtë proces në mënyrë kapilare në të gjithë vendin. Kemi mbi 78 mijë  vaksinime të kryera, bashkë me vaksinimiet e kryera ditën e sotme. Dua që të them që të gjithë siguria e shëndetit të qytetarëve është e garantuar pasi ato që kryejnë procesin e vakisnimit ndiqen nga mjekët e familjes”, u shpreh Manastirliu./tvklan.al