“Ulet listë-pritja për kryerjen e koronarografive për pacientët me probleme kardiake, me dyfishimin e kapacitetit të kryerjes së procedurave të hemodinamikës në spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”. Deklarata u bë nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë inspektimit të punimeve për vendosjen e sistemit qendror të ngrohje-ftohjes në këtë spital.

“Me hapjen e Njësisë së Hemodinamikës në spitalin rajonal të Fierit dhe 3 njësitë e tjera të Hemodinamikës në Tiranë dhe në Shkodër, kemi arritur që nga 700 procedura të hemodinamikës që kryheshin 3 vite më parë në QSUT, të mundësojmë mbi 6 mijë ndërhyrje në vit, duke i kursyer qytetarëve shqiptarë rreth 5 milion euro, që më parë i shpenzonin në spitalet private për të marrë këtë shërbim

”, tha Manastirliu.

Aktualisht spitali “Shefqet Ndroqi” kryen rreth 1300 koronarografi në vit për pacientët me probleme kardiake dhe brenda vitit, me zgjerimin e ekipit mjekësor, ku shërbimi tashmë ofrohet nga 3 mjekë hemodinamistë, pritet të kryhen rreth 2 mijë koronarografi në vit.

Ministrja Manastirliou lajmëroi në spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi” hapjen së shpejti të shërbimit të ri të Kardiokirurgjisë.

“’Shefqet Ndroqi’ nuk është më vetëm një spital i sëmundjeve të mushkërive, pasi interventet e urgjencave kirurgjikale janë dyfishuar në këtë spital vetëm gjatë 8 muajve të fundit, por ne synojmë që përveç zgjerimit të shërbimit të hemodinamikës, së shpejti të hapim në këtë spital shërbimin e ri të Kardiokirurgjisë”,

tha Manastirliu./tvklan.al