Manastirliu: Të vaksinuarit po monitorohen para dhe pas injektimit



Manastirliu: Të vaksinuarit po monitorohen para dhe pas injektimit

12:41 17/03/2021

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ka qenë e pranishme gjatë procesit të vaksinimit në Fier dhe është shprehur se të vaksinuarit po monitorohen nga stafi mjekësor para dhe pas injektimit.

Ndër të tjera Manastirliu theksoi se kjo fushatë e vaksinimit po intensifikohet dita ditës.

Pas mësuesve, vaksinimi do të vijojë me grupmosha mbi 80 vjeç dhe më pas +75 vjeç.

“Është një proces i cili po monitorohet edhe në vazhdimësi gjatë vaksinimit, por edhe pas vaksinimit. Pra, gjithë procesi është i garantuar nga pikëpamja e monitorimit dhe sigurisht ajo që na mbetet është të ftojmë të gjithë mësuesit për të marrë pjesë në këtë proces dhe për ta kryer vaksinimin sepse vaksinimi shpëton jetë.

Vaksinat reduktojnë hospitalizimet, shmangin fatalitetet dhe ky është një moment shumë i rëndësishëm për Shqipërinë, sepse kjo fushatë e vaksinimit e cila po intensifikohet dita ditës dhe vetë ju e keni parë numrin e të vaksinuarve ditor që tashmë është rritur edhe me ardhjen e vaksinave të AstraZeneca. Vetëm ditën e djeshme janë vaksinuar mbi 2400 qytetarë, ku bëhet fjalë për kategorinë e mësuesve dhe rivaksinimet gjithashtu. Në total janë vaksinuar 2664 mësues deri ditën e djeshme, ose rreth 7.2% e totalit të mësuesve në të gjithë vendin.

Ndërkohë që po vijon çdo ditë, siç e shihni edhe në Fier kemi filluar sot dhe në të gjithë Shqipërinë është shtrirë ky proces. Pas mësuesve do të vijojmë me grupmosha mbi 80 vjeç dhe më pas do vijojmë duke ulur moshën, +75 dhe kështu në vijim. Pra kjo është strategjia dhe do të jetë ashtu sikurse e kemi thënë, një plan i kombinuar i vaksinimit”, tha Manastirliu./tvklan.al







Të ngjashme