Mason debuton me fitore të Tottenham, gjelat më pranë Europës

Manchester City ka hedhur një hap para në garën për titull. Nënkampionët e Anglisë mposhtën me përmbysje 2-1 Aston Villa-n dhe tashmë titulli është pak pikë larg. Mekgin zhbllokoi takimin pak sekonda pasi sfida kishte nisur. Megjithatë, City u rikthye në lojë duke marrë frenat e saj shumë shpejt. Foden barazoi shifrat pas një asisti perfekt të Bernardo Silva.

Brenda pjesës së parë, City mori avantazhin, me golin e Rodri. Fundi i fraksionit të parë solli dhe një ndërhyrje horror të mbrojtësit Stons, i cili u ndëshkua direkt me karton të kuq. Forcat në fushën e blertë u barazuan shumë shpejt, pasi Cesh bën një ndërhyrje të ashpër ndaj Foden, duke marrë kartonin e dytë të verdhë dhe lënë Aston Villa-n me 10 lojtarë.

Pesë javë nga fundi, Manchester City hipotekon kualifikimin në Ligën e Kampionëve, teksa numëron 11 pikë më shumë se ndjekësit e Manchester United që kanë dhe një sfidë për të zhvilluar. Debutim fantastik në stolin e Tottenham Hotspur për 29-vjeçarin, Rian Mason. Gjelat mposhtën 2-1 Sauthempton me përmbysje, duke ngjallur shpresat për një vend në kompeticionet Europiane.

Golit të Ings pas gjysmë ore lojë iu përgjigjen Bejl dhe Son Heung Min në pjesën e dytë. Ky trepikësh e ngjit Tottenham në vendin e 6-të me 53 pikë, ndërkaq Sauthempton lë gjithçka të hapur për sigurimin e qëndrimit në elitën e futbollit anglez.

Klan News