Nga Peshkopia ku vijon fushatën elektorale për zgjedhjet e 25 Prillit, Kryeministri Edi Rama u ka kërkuar votën qytetarëve dibranë për të fituar mandatin e tretë qeverisës.

E duke folur pikërisht në këtë aspekt, Rama theksoi se Shqipëria ndodhet në një moment vendimtar të historisë së saj.

“Mandati i 3 është momenti i një kapërcimi të madh, vendimtar në rrugën drejt asaj që unë e kam parë si një ëndërr me sy hapur kur kam lënë emigracionin dhe kam ardhur në Shqipëri.

Arsyeja pse kurrë nuk jam dorëzuar është sepse ajo majë që unë e kam parë dhe e shoh çdo ditë dhe më nxjerr çdo ditë nga shtëpia është sot e mbërritshme, është sot aty. Thjesht duhet të rezistojmë dhe mos dorëzohemi përpara tundimit që t’i biem shkurt. Nuk ka asnjë mrekulli që ngjit drejt majës përveç punës. Ne kemi bërë shumë rrugë deri këtu. Nuk patëm vetëm pandeminë. Na ra dhe fatkeqësia e një tërmeti katastrofik. Kur earritëm t’ja dalim edhe kundër tërmetit edhe kundër armikut të padukshëm, të jemi sot në pjesën më të lartë të klasifikimit për vaksinimin masiv patjetër që mund t’ja dalim ta bëjmë Shqipërinë të ardhmen tonë, ta transformojmë më tutje jetën e njerëzve, duke mos rënë pre e atyre politikanëve e që flasin e premtojnë çudira. Shqipëria e vitit 2030 nuk ka asnjë arsye të mos jetë kampione e Ballkanit. Brenda mandarit të tretë do t’i çojmë eksportet shqiptare mbi 1 miliard”.

Duke komentuar deklaratën e Lulzim Bashës disa ditë më parë në Dibër ku premtoi rihapjen e Universitetit, kryesocialisti Rama tha: “Dëgjova që Luli kishte thënë do hapim Universitetin në Peshkopi. Prapë nga e para. Ne nuk do hapim Universitet, do të bëjmë që vajzat dhe djemtë e Dibrës të shkojnë në Universitet në Tiranë. Universitetin në Peshkopi e hap Luli edhe dekan do keni Xhelal Mziun”.

Rama përsëriti sërish premtimin e tij për çdo emigrant që vendos të investojë në Shqipëri, duke përfituar nga shteti një grant prej 5 mijë Eurosh.

Ne do të japim 5 mijë Euro për çdo djalë dhe vajzë që është në emigracion dhe që është gati t’i investojë në shtëpinë e gjyshit, në shtëpinë e vjetër për ta kthyer në bujtinë. Emigrantët të kenë mundësi që me shtëpinë e gjyshit të fitojnë më shumë se sa fitojnë duke punuar për këdo tjetër. Kjo është rruga që ka bërë shumë vende nga ato që ne i shohim me admirim”.  /tvklan.al