Në seancën plenare të ditës së Enjte, do të hidhet për votim për të dytën herë mundësia e dërgimit të mandatit të Olta Xhaçkës për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese. Ky është vendimi i shumicës në mbledhjen e Këshillit të Mandateve, e zhvilluar mes shumë debateve.

Gazment Bardhi akuzon Partinë Socialiste se po tenton të bëhet mburojë për Olta Xhaçkën, duke mos ia lënë në dorë vendimin Gjykatës Kushtetuese për mandatin e saj.

Gazment Bardhi: Ju keni shkelur kushtetutën. Kuvendi është organ sovran, por kuvendi nuk është mbi kushtetutën dhe në vendimmarrjet e tij kontrollohet me këtë dokument nga GJK. Kemi vendim të zbatojmë vendimin e Gjykatën Kushtetuese që sugjeronte që ky kuvend. 

Partia Socialiste hedh poshtë këto pretendime me argumentin se asnjë organ nuk mund ta detyrojë Kuvendin të marrë një vendimmarrje të caktuar, edhe nëse ky organ është Gjykata Kushtetuese.

Bledi Çuçi: Ne jemi në një vakum për të marrë një vendim për këtë çështje. Kuvendi nuk ka një vendimmarrje për kërkesën e 1/10 të deputetëve për këtë çështje.

Pasi bashkëshorti i Olta Xhaçkës, ish-deputeti socialist Artan Gaçi u shpall investitor strategjik, dhe me vendim qeverie iu dha e drejta e përdorimit të brigjeve në Dhërmi, PD kërkoi heqjen e mandatit të Olta Xhaçkës me argumentin se ka konflikt interesi. Socialistët e rrëzuan këtë kërkesë, duke detyruar një pjesë të grupit të PD t’i drejtohet Gjykartës Kushtetuese. Kjo e fundit e pranoi kërkesën duke rikthyer çështjen në Kuvend. Tashmë ligjvënësit do të ngrenë kartonët për të dytën herë ditën e Enjte, ndërsa nga socialistët nuk pritet të ketë asnjë surprizë nga rezultati i votimit të një viti më parë.

Klan News