Ditën e sotme ka patur debate të ashpra në sallën e Parlamentit, si pasojë e lajmit të botuar nga gazeta “Koha Jonë’ dy ditë më parë. Sipas kësaj gazete, kryetari i Gjykatës Kushtetuese është jashtë funksionit të tij, pasi mandati ka skaduar më 13 Maj. Kjo çështje ka dy versione, një që ka ardhur si harresë dhe një që ka qenë harresë e qëllimshme.

Kryetari i grupit parlamentar dhe nënkryetari i Partisë Demokratike, Bamir Topi ishte i ftuar në “Opinion Plus”, nga ku tregoi versionin e tij.

Kjo është sa komike aq e rëndë. Është komike sepse institucionet dhe politika në përgjithësi e merr informacionin e rëndësishëm nga mediat, në rastin konkret e dyta është e rëndë sepse unë besoj se nuk është çështje harrese. Ka shumë mundësi që ky problem të jetë lënë në harresë në mënyrë të qëllimshme. Në rastin konkret ka një përgjegjësi të dyfishtë. Pra ka një marrëdhënie institucionale të drejtpërdrejtë ndërmjet institucionit të Presidencës dhe Gjykatës Kushtetuese.

Pra askush nga këto të dy institucione, të cilat janë garant i ligjeve dhe Kushtetutës, u janë besuar çështje madhore në momente të veçanta, këto të dy institucione janë të parat që japin sinjale të mungesës të përgjegjshmërisë ndaj pozicionit që po flasim, përgjegjshmërisë ndaj Kushtetutës, pra ka një lojë paradoksi të vërtetë midis asaj që lançohet në mënyrë frekuente, ku të gjithë i referohen Kushtetutës dhe në momente të caktuara, kur ka të bëjë me përgjegjësitë e veta, janë të parët që i largohen Kushtetutës.

Përderisa unë thashë që janë raste frekuente, vërtetë janë raste frekuente. Nuk e kam fjalën thjesht për një institucion, por kohe pas kohe vërehen anomali të tilla në përgjithësi në jetën institucionale. Pra nuk e kam fjalën në mënyrë të posaçme në fushën e një administrate, por në përgjithësi në vite në administratën shqiptare.

Nuk mund të ketë asnjë lloj aludimi për çështjen e pozicionit të Gjykatës Kushtetuese, sepse në rastin më të keq gjithçka duhet të realizohet mbi një terren transparent. Fakti se gjithçka u realizua në një terren të mbyllur jashtë opinionit, do të thotë se diçka përgatitej, kalkulohej. Në rastin konkret besoj se është gabim që të merren në intervista mjaft njerëz në një kohë kur ka një dokument themelor, mjafton ky dokument, mjafton ta interpretosh atë duke e pasur përpara dhe do të shohësh që Kushtetuta parashikon qartë që në momentin e dështimit të procesit të zgjedhjes së presidentit, në të gjitha rastet kur presidenti për një mijë arsye nuk është prezent edhe në vizitat rutinë që mund të zhvillojë jashtë shtetit, të gjitha pozicionet, të gjitha detyrimet i ka kryetarja e Kuvendit, në rastin konkret kryetarja e Kuvendit. Pra kjo është e shkruar në Kushtetutë dhe nuk besoj se do të gjeni ndonjë pasazh, i cili është i realizuar thjesht, por ka qenë fryt i debateve, të cilat sikurse i dëshmojë dhe ata që janë marrë me ndërtimin e K ushtetutës ka qenë pjesë e një debati  mjaft afatgjate dhe frytdhënëse.

Këtu më shumë ka pozicione të imponuara politike, në ato çka demonstron jo vetëm opozita, por edhe opinionistë të veçantë. Unë nuk besoj se po e trajtoj nga pikëpamja e një pozicioni politik, sepse ajo edhe për qëllime pragmatiste do të më dëmtonte në rast se do të artikuloja në këtë mënyrë, pra po tregohem fare i hapur transparent, mjaft i sinqertë, por si ligjvënës i zhveshur nga të gjitha detyrimet e tjera duke studiuar dhe duke parë në mënyrë konkrete pikërisht këtë çështje, është mëse e qartë se në rast se dështon ky proces atëherë pas datës 24 Korrik të gjitha angazhimet e kryetarit të Kushtetutës, natyrisht i merr Kryetari i Kuvendit”.

Bamir Topi foli gjithashtu për kandidimin e tij për postin e Presidentit të  Republikës në zgjedhjet që pritet të nisin më 24 Qershor, si dhe për zhvillimet politike brenda PD./tvklan.al