Mane komenton paketën e dytë ekonomike: Kam vetëm një shqetësim…



Mane komenton paketën e dytë ekonomike: Kam vetëm një shqetësim…

23:01 14/04/2020

Në një lidhje me “Skype” për emisionin “Opinion” në Tv Klan, biznesmeni Samir Mane ka komentuar paketën e dytë ekonomike që kreu i qeverisë Edi Rama paraqiti një ditë më parë.

Sipas Mane, kjo paketë është më e zgjeruar dhe do t’u vijë në ndihmë bizneseve për të paguar punonjësit, por kjo nuk zgjidh problemet e bizneseve për shkak se detyrimet që kanë nuk lidhen vetëm me pagat e punonjësve të tyre.

“Një paketë më e madh që futen të gjitha llojet e bizneseve. Paketa është e madhe, natyrisht nuk i zgjidh hallet e bizneseve por zgjidh një pjesë sociale të biznesit. Është gjithëpërfshirëse dhe mendoj se do ndihmojë kompanitë mjaftueshëm për të paguar të paktën pagat e punonjësve”.

Për Manen e rëndësishme është që kjo paketë të mos jetë shumë e vonuar, pasi ka biznese që ndoshta nuk do të rezistonin deri në dhënien e parave të vëna në dispozicion.

“Ajo që kam unë shqetësim është shpejtësia e pagesës, sepse nëse ndodh në 5 maj, nuk do ta përballojnë dot deri në atë kohë. Shpejtësia e kësaj pakete është gjëja më e rëndësishme…”

Sa i përket paketës së tretë ekonomike që Rama ka njoftuar, Mane thotë se nëse edhe kjo paketë do të jetë për pagat e punonjësve, do të jetë ndihmë.

“Duhet të ketë dhe një paketë të tretë për pagat e punonjësve. Bizneset nuk kanë për të paguar vetëm punonjësit, por kanë qira, kanë furnitorë, kanë banka…”. /tvklan.al  



Të ngjashme