ISIS ne Rome

6 mësues beduinë u arrestuan nga policia izraelite në rajonin e Negevit. Shërbimet inteligjente zbuluan se ata ishin mbështetës të Shtetit Islamik dhe përhapnin ideologji xhihadiste në shkolla.

4 prej tyre ishin mësues të një shkolle fillore, ndërsa 2 të tjerë të një gjimnazi. Të hënën policia italiane vuri në pranga një maroken. Xhalal el Hanoi u arrestua gjatë një aksioni kundër terrorizmit në qytetit e Pizas. Ai dyshohet si personi, i cili rekrutonte militantë për Shtetin Islamik, përmes rrjeteve sociale.

Presidenti amerikan Barak Obama, pjesëmarrës në një mbledhje të “Këshillit të Luftës” në Pentagon theksoi se Shteti Islamik do të mundet dhe aktualisht ka hyrë në rrugën e gjatë por të sigurtë të shkatërrit.

Objektivi i radhës i Shtetit Islamik është të pushtojë perëndimin. Se si do t’ia arrijë këtij qëllimi, e shpjegon me hollësi manifesti më i fundit i hedhur në internet, në formën e librave elektronikë “e-books”.

Libri, i cili duket se është i pari i një serie të gjatë, titullohet “Myslimanët në Perëndim” dhe ka si nëntitull “si të mbijetojmë në perëndim – një guidë për maxhahedinët”.

Në kopertinën e librit paraqitet një grup të rinjsh që marshojnë me flamujt e Shtetit Islamik.

Në këtë mënyrë vjen edhe këshilla për të rinjtë, të mblidhen në banda për të formuar lëvizjen xhihadiste, që do të kurorëzohet me pushtimin e Romës, që nga xhihadistët konsiderohet si kryeqendër e kulturës perëndimore.

Tv Klan