Manifestim kaq të madh, Londra nuk kishte parë prej vitesh, të paktën prej 2003-shit kur kundërshtohej pjesëmarrja e ushtrisë britanike në sulmin ndaj Irakut.

Rreth një milionë njerëz, po aq sa në atë kohë, morën pjesë në manifestimin ku kërkohet një referendum i dytë me shpresën për të penguar daljen e Britanisë nga Bashkimi Europian.

“Lëre popullin të vendosë” ishte slogani i manifestimit, një thirrje që organizatorët i drejtuan kryeministres May, për t’a hedhur marrëveshjen me Brukselin në referendum, pasi nuk po siguron shumicën në parlament.

Tom Watson, Nënkryetar i Labursitëve: Mënyra për të kapërcyer ngërçin është që populli dhe parlamenti të flasin në një zë. Është koha për t’a thënë me një zë, “Lëre popullin të vendosë.”

Nicola Sturgeon, Drejtuese e Qeverisë së Skocisë: Në fjalimin e saj e fundit, të turpshëm në Downing Stret, mesazhi i May ishte se “Zëri i popullit nuk po dëgjohej”. Nëse kjo është pikëpamja jote zonja kryeministre, atëherë lëre popullin të flasë.

Kryeministres May i duhet t’a hedhë për të tretën herë marrëveshjen me Brukselin në votim në parlament. Kreu i dhomës së ulët nuk pranoi t’a shtrojë për diskutim të njëjtën marrëveshje që përmban lëshimet e bëra nga Brukseli, por që u refuzuan në votimin e dytë. Bashkimi Europian pranoi të shtyjë afatin e Brexitit deri më 22 Maj, për t’i lënë kohë May të bindë deputetët rebelë brenda konservatorëve. Liderët e BE-së nuk pranojnë të bëjnë lëshime të tjera. Mediat britanike shkruajnë se një nga kushtet që deputetët rebelë kanë vënë është dorëheqja e kryeministres sapo marrëveshja të miratohet.

Tv Klan