Nga Vlora, Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka mohuar pretendimet e kundërshtarëve politikë se me Amnistinë Penale po amnistohet korrupsioni dhe shpërdorimi i detyrës për zyrtarë të dënuar nga GJKKO. Sipas tij bëhet fjalë për ulje të dënimit, jo amnistim.
“Ky draft Amnistie nuk amniston asnjë zyrtar të dënuar për korrupsion, nuk amniston asnjë të dënuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Bëhet fjalë për ulje dënimi, jo amnisti. Janë dy koncepte juridike të ndryshme dhe ata që janë juristë më kuptojnë. Amnistia ta heq njollën, quhesh i padënuar ndërsa ulja e dënimit, nuk ta shuan dënimin.”
Sipas Manjës vendimi për tërheqjen nga votimi në parlament të Amnistisë Penale synon arritjen e një konsensusi sa më të gjerë politik.
Sipas tij ky amendamenti i shtuar në Komisionin e Ligjeve është bërë për të zbatuar barazinë para ligjit.
Komisioni i Ligjeve tha Manja si komision ekspertize për të zbatuar barazinë para ligjit e shtoi këtë amendament sepse qeveria nuk e kishte atë në versionin fillestar.
Klan News