Pasi dështuan të bëjnë 84 vota në Kuvend për amnistinë penale, socialistët janë gati të ulen në diskutime me opozitën dhe Lulzim Bashën duke pranuar amendimet e kësaj të fundit për projektligjin, me kushtin që ato të jenë në përputhje me parimet e faljes.

“Basha ka sjellë ca amendamente në Komision dhe thotë të amnistojmë protestuesit 2008-2020 dhe jo të tjerët. Po këta të 8 Janarit që protestuan te godina e PD, këta të Rithemelimit që protestuan në mënyrë të paligjshme kundër Lulzimit atje. Këta të mos i amnistojmë? Jemi gati të ulemi të bisedojmë, por nuk pranojmë kushte për një gjë që nuk na takon vetëm ne”, tha Manja.

Nga Vlora, ministri i Drejtësisë ritheksoi se nga amnistia penale nuk përfiton asnjë zyrtar i dënuar nga Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

“Nga kjo amnisti nuk amnistohet korrupsioni, shpërdorimi i detyrës dhe asnjë i dënuar nga GJKKO dhe i hetuar nga SPAK”, tha Manja.

Manja sqaroi se projektligji nuk do të rikthehet për rishqyrtim në Komisionin e Ligjeve dhe se do të futet për votim në seancë plenare vetëm pasi socialistët të bëjnë 84 votat e nevojshme që duhen për miratimin e amnistisë penale.

“Kur të sigurohen votat të futen në rendin e ditës”, tha ai.

Nga projektligji i amnistisë penale përfitojnë rreth 700 persona të dënuar dhe 2500 të tjerë në shërbim prove. Kategoria që përfitojnë ulje shkojnë nga 1200 në 1600 të dënuar.

Tv Klan