Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, gjatë aktivitetit për vlerësimin e afateve të shqyrtimit gjyqësor administrativ dhe dorëzimin e vendimeve 2015, u shpreh se problemet në Gjykatën Administrative janë të mëdha, pasi ka vonesa në gjykim, ç’ka kanë sjellë një stok çështjesh.

“Vlerësimi populist ndaj punës profesionale të profesionistëve nuk ndihmon dhe nuk e zgjidh problemin. Problemet në Gjykatën Administrative janë të mëdha. Sot kemi ende një stok çështjesh veçanërisht në Gjykatën Administrative të Apelit, për të cilat kemi ndërrmarrë disa nisma për zgjidhjen e çështjeve organizative në këtë gjykatë. Vonesa në gjykim përkthehet në perceptimin publik si korrupsion. Shumica dërrmuese e përceptimeve krijohen  nga njerëz që nuk kanë qenë asnjëherë në sallën e gjyqit.

Në sallën e gjyqit gjykohet me prova dhe jo me hamendje. Nuk ka Reformë në Drejtësi që të detyrojë gjykatat të vendosin pa prova”

– u shpreh Manjani.

Ndërsa Kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, lidhur me këto problematika u shpreh se ka mungesa sa i përket numrit të gjyqtarëve, pasi ka shumë çështje administrative të cilat janë të papërballueshme.

“Qeveria prodhon shumë çështje administrative për konfliktet e punës kryesisht pas zgjedhjeve. Duhen masa operacionale dhe efektive për zgjidhjen e problematikave të hasura në afatet e gjykimit. Gjykata e Lartë vitin e shkuar ka dhënë 9000 vendime. Nga 13000 çështje që kishim vitin që kaloi, sot kemi 14 600 çështje. Nuk mund të përballohet. Kemi mungesa në numrin e gjyqtarëve”-

deklaroi Zaganjori./tvklan.al