Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar pas denoncimit që u bë nga selia blu, e cila përcolli për publikun deklaratat e qytetares Manjola Cakoni nga Thumana, e cila pretendon se është kërcënuar përmes telefonit nga Kryeministri Edi Rama.

Kryedemokrati Basha e konsideron veprim të ulët dhe burracak sjelljen e Kryeministrit.

“Kjo që dëgjuam, kërcënimi i një zonje të mbytur nga dhimbja dhe pamundësia për të përmbushur nevojat jetike, është një akt i ulët i një Kryeministri që shkel mbi çdo premtim, i dikujt që nuk e ndjen dhimbjen dhe vuajtjen e bashkëqytetarëve. Është akti i një burracaku që i kërcënon t’u mbyllë gojën viktimave të pushtetit të tij të korruptuar. Është kriminale që fatkeqësia e bashkëqytetarëve tanë, në fillim u përdor për propagandë e më pas u harrua.  Është kriminale që një kryeministër të kërcënojë një qytetare, vetëm pse ajo denoncoi shkeljen e premtimit dhe braktisjen e saj”.

Lulzim Basha thotë se qeveria duhet të qëndrojë në krah dhe të ndihmojë qytetarët që u goditën nga tërmeti i 26 Nëntorit, siç është dhe rasti i Manjolës.

“Historia e Manjolës dhe Alesios tronditi mbarë opinionin publik. Një tragjedi e madhe, dhimbje e pashërueshme që do të mbetet gjithmonë e pranishme në jetën e tyre. Detyra e një qeverie normale është të lehtësojë pasojat materiale për Manjolën, Alesion por dhe për mijëra persona të tjerë, që u goditën rëndë nga tërmeti i 26 Nëntorit”.

Por, sipas Bashës, “fatkeqësisht, Manjola është vetëm një ndër mijëra gra të tjera që sot nuk kanë ushqim të mjaftueshëm për fëmijët e tyre dhe që jetojnë në çadra e kushte tejet të vështira. Historia e saj është dëshmi ngjethëse e humbjes së çdo ndjeshmërie njerëzore dhe çdo përgjegjësie ndaj njerëzve nga ai që i përdor qytetaret për propagandë e më pas i braktis në mjerimin e tyre”.

Manjola Cakoni nga Thumana humbi bashkëshortin dhe vajzën 15-vjeçare nga tërmeti i 26 Nëntorit. /tvklan.al