Numri i të prekurve arrin në 599

Ditën Botërore të Shëndetësisë Spitali i Kumanovës është duke e kaluar me 18 punonjës shëndetësor të infektuar nga koronavirusi, me repart të përgjysmuar infektiv dhe me 80 persona të izoluar. Urimin që Ministri i Shëndetësisë ua dërgoi kolegëve të tij mjek, në fakt ishte thirrje për qytetarët.

“Në këtë moment ata janë shtylla e shtetit dhe shpresa jonë më e madhe. Në emër të të gjithë, u bëj thirrje qytetarëve t`u përmbahen masave, të japin përgjigje të sakta, t`i mbrojmë punonjësit shëndetësor”, tha ministri i Shëndetësisë.

Bilanci i 24 orëve të fundit është 5 persona të vdekur, 2 nga Kumanova dhe nga 1 në Labunishtë të Strugës, rrethin e Tetovës dhe në Shtip. Janë 29 pacientë të rinj të prekur nga COVID-19, 9  në respiratorë, 20 në gjendje të rëndë klinike, mes të cilëve edhe një shtatëzënë e re.

Janë gjithsej 599 të infektuar, 30 të shëruar dhe 26 të vdekur. Preventiva e vetme mbetet izolimi, thotë ministri Filipche. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, gjatë 24 orëve të fundit janë bërë 386 testime, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 5879 testime në nivel vend.

Klan Macedonia