Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se gjashtë persona kanë vdekur nga koronavirusi i ri, që shkakton sëmundjen COVID-19.

Tre nga viktimat janë nga Shkupi, ndërsa tre të tjerët janë nga Kumanova, Shtipi dhe Berova.Viktimat, siç thuhet në njoftim, kishin edhe probleme tjera shëndetësore para se të diagnostikoheshin me COVID-19.

Numri i përgjithshëm i të vdekurve në Maqedoni të Veriut ka arritur në 334 dhe prej tyre vetëm në Shkup janë 129 raste. Ky qytet vazhdon të jetë edhe në krye të listës së personave të infektuar me koronavirus.

Sipas raportit të Ministrisë së Shëndetësisë, gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar edhe 149 raste të reja me COVID-19. Prej tyre, 56 janë nga Shkupi, 16 nga Tetova, ndërsa në 14 qytete të tjera, numri i të infektuarve është më i ulët se dhjetë.

Ndërkohë, është njoftuar edhe për 111 persona të shëruar, prej të cilëve 56 në Shkup dhe 36 në Tetovë.

Të dhënat e publikuar i referohen testimit të 1,296 mostrave.

Nga të dhënat e përgjithshme, deri të shtunën, nga testimi i 66,133 mostrave, të infektuar me koronavirus janë 6,932 persona, prej tyre 3,611 janë ende aktivë, ndërsa 2,987 persona janë shëruar./REL