“Aktualisht kemi 73 vota në Kuvend”

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski sfidon opozitën maqedonase dhe shprehet i gatshëm të japë dorëheqjen ditën që miratohen ndryshimet kushtetuese.

Gjatë një interviste televizive ai ka theksuar se vetëm pasi kalojë paketa kushtetuese vendi mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme ashtu siç edhe kërkon opozita.

“Nëse e shihni ekspozenë time në seancën për nevojën e ndryshimeve kushtetuese, isha absolutisht i sinqertë se çfarë fitojmë me BE-në. Unë publikisht e kam thënë se ditën kur do t`i votojmë ndryshimet kushtetuese, do të dorëhiqem dhe do të shkojmë në zgjedhje”.

Ndryshe nga sa pretendon VMRO-DPMNE, ai thekson se aktualisht këto ndryshime kanë mbështetjen e 73 deputetëve në Kuvend.

Procesi nisi me 70 vota “pro” rendin e ditës për ndryshimet kushtetuese, edhe pse disa supozuan dhe donin që kjo shifër të jetë nën 65. Por, u tregua se për momentin janë 73 vota”.

Procesi i miratimit të ndryshimeve kushtetuese në RMV duhet të kalojë në tre etapa, dy prej të cilave kërkojnë shumicë të cilësuar prej 80 votash.

Klan Maqedonia