Zaev: Regjistruesit në grupin prioritar të vaksinimit

Më 28 mars në Maqedoninë e Veriut do të arrijë dërgesa e parë e 24.000 vaksinave AstraZeneca përmes sistemit Covax. Lajmin e bëri të ditur ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe në profilin e tij në Facebook. Sipas tij, me këto doza, duhet të fillojë imunizimi i popullsisë në RMV.

“Këtë javë, më 28 mars, në 07:55, dërgesa e parë e 24.000 vaksinave të “AstraZeneca” arrin në Shkup përmes sistemit Covax”, njoftoi Filipçe.

Kryeministri Zoran Zaev njoftoi se me vaksinat që do të arrijnë të dielën do të vaksinohen regjistruesit të cilët do të zbatojnë procesin e regjistrimit.

Zaev tha se do të plotësohet kërkesa e liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoskit, dhe se regjistruesit do të jenë në kategorinë e parë të qytetarëve që do të vaksinohen, me dozat që duhet të pranohen vetëm një herë.

 “Informacionin e dinim dy-tri ditë para se ta publikonim, ky është hapi i parë drejt imunizimit masiv, pranohet vetëm një dozë. Këto ditë edhe sasitë e tjera do të arrijnë përmes mekanizmave për të mbuluar në mënyrë të barabartë terrenin. Mund t’i shohim dobësite dhe përparësiët e vendeve tjera, kurse vaksinat janë të sigurta dhe sa më shpejtë ta mposhtim këtë pandemi të tmerrshme. Prioritet padyshim do të jenë edhe regjistruesit”, tha ai.

Kryeministri Zaev njoftoi se në ditët në vijim, do të arrijnë edhe vaksina të tjera, por duke mos saktësuar ndonjë datë konkrete. Ai bëri thirrje që qytetarët  t’i respektojnë masat anti-covid, para se të fillojë imunizimi i popullsisë.

“Ky është një hap i parë për imunizimin masiv. 24 mijë vaksina ku do të pranohet vetëm me një dozë, do të thotë se do të vaksionohen 24 mijë qytetarë. Këto ditë do të arrijnë edhe vaksinat e tjera por nuk dua që të prononcohem para kohe. Të kujdesemi, t’i respektojmë masat”, tha Zaev.

Deri tani kanë arritur 8.000 doza nga Kompania “Pfizer” dhe 3.000 vaksina ruse. Me këto doza janë vaksinuar një pjesë e punonjësve shëndetësor.

Klan News