Kovaçevski: Nuk duhet ta humbasim këtë shans
Komisioni për çështje kushtetuese votoi me 10 vota pro dhe 7 kundër për nisjen e procedurës dhe përgatitjen e amendamenteve për ndryshimin e Kushtetutës. Kryeministri Kovaçevski edhe një herë e tha para deputeteve se vendimi për fillimin e skriningut është historik dhe se me nënshkrimin e marrëveshjes me FRONTEX u dëshmua se gjuha maqedonase është e garantuar dhe nuk cenohet nga askush.
Dimitar Kovaçevski: Ne nuk guxojmë ta lëshojmë këtë shans për Evropë. Kjo është një shans që ta çojmë vendin në BE. Përfaqësues ndërkombëtarë tërheqin vëmendjen se ekziston mundësia që Maqedonia e veriut dhe Shqipëria të ndahen në këtë proces.
Me muaj të tërë qeveria po mundohet ta bind opozitën që të votojë ndryshimet kushtetuese, por koordinatori i grupit parlamentar të VMRO/DPMNE-së, Nikolla Micevski, ia bëri të qartë Kryeministrit se ata nuk e kanë ndërmend ta përkrahin këtë proces.
Nikolla Micevski: Ndryshime kushtetuese nën diktatin e dikujt janë të pamundura dhe për këtë shkak asnjëherë nuk do t’i përkrahim sepse kjo është thyerje e drejtpërdrejtë e sovranitetit të një shteti.
Gjatë mbledhjes nuk munguan as tensionet mes deputetëve të të dyja krahëve.
“Mshele gojën ti. Mshele gojën kur jam tu fol une. Të lutem kujdes. Kulturë elementare duhesh me tregu. Turp! Idiot”!
Seanca plenare u caktua për më 18 gusht kur edhe duhet të votohet me 2/3 e votave për nevojën për ndryshimin e kushtetutës.
Klan Macedonia