Mickoski: Të mos lejojmë ta shtyjnë vendin drejt ferrit

“Me përbërjen aktuale të Parlamentit nuk pres se Qeveria do të arrijë të sigurojë 2/3 e shumicës të domosdoshme për ndryshimet kushtetuese”.

Mesazhi vjen nga lideri i VMRO-DPMNE-së në Maqedoninë e Veriut, Hristijan Mickoski, i cili sërish ka kërkuar zgjedhje të parakohshme parlamentare, pasi sipas tij, përbërja aktuale parlamentare shumë shpejt do ta përfundojë mandatin.

Mickoski u ka bërë thirrje deputetëve të LSDM-së, siç thotë, që të mos lejojnë që Ali Ahmeti dhe Edi Rama ta shtyjnë vendin drejt ferrit.

“Dje dëgjuam se si deputetja e Alternativës publikisht nga foltorja tha se gjatë krizës së Nëntorit 2021, Qeverinë e Maqedonisë e kanë bërë Edi Rama dhe një anëtar i familjes së Adem Jasharit. Ata kanë përpiluar qeverinë LSDM-BDI kurse Kovaçevski dëgjon urdhërat e Ali Ahmetit dhe Artan Grubit”.

Kundërpërgjigjen socialdemokratët. Sipas tyre, VMRO-DPMNE është definicioni për keqpërdorim të parave të qytetarëve, kurse selia e tyre fole hajnash.

“VMRO-DPMNE është parti që ka 400 funksionarë të akuzuar për krime dhe keqpërdorime kur ishin në pushtet. Kështu janë harxhuar paratë e qytetarëve, për çka ekzistojnë rreth 40 dëshmi nga funksionarë të VMRO-së. Për këto ka aktgjykime me mbi 150 vite burg”.

Pas vendimit partiak për hyrje në Qeveri, ASH-ja ka qenë në shënjestër të sulmeve dhe kritikave nga VMRO-DPMNE-ja. Aleanca thotë se kapi Mickoskin me “duar në mjaltë”, dhe se kjo është arsyeja e vetme e sulmeve të VMRO-së.

Aleanca për Shqiptarët zbuloi skandalin korruptiv në një tender publik me vlerë prej 12 milionë Euro që çon deri te Mickoski. Bëhet fjalë për blerjen abuzive të një sistemi për identifikim biometrik të votuesve që asnjëherë nuk ka funksionuar e që Krenar Lloga, anëtari i KShZ-së i propozuar për ministër të Drejtësisë, e zbuloi dhe denoncoi në Komisionin Antikorrupsion dhe në organet e drejtësisë.

Ndërkohë, debate për hyrjen e ASH-së dhe daljen e Alternativës nga Qeveria ka vazhduar në Kuvend. Deputetët e VMRO-DPMNE-së i kanë bërë thirrje Alternativës që t`i bashkohen një opozite të fuqishme.

Klan Maqedonia