LSDM: Opozita kërkon të bllokojë të ardhmen europiane

SHKUP – Për opozitën maqedonase zgjedhjet e parakohshme janë e vetmja zgjidhje për ta nxjerrë vendin nga ngërçi që kanë krijuar ndryshimet kushtetuese.

Sipas VMRO-DPMNE-së, mbajtja në pushtet e BDI-së dhe LSDM-së do të thotë humbje kohe dhe krizë më të thellë për vendin.

“Gjatë fushatës do të ofrojmë zgjidhje patriotike, komparative dhe të drejtë që do t`i mbrojë dhe përparojë interesat e Maqedonisë lidhur me kontestin me Bullgarinë. Por, që të bëhet kjo, fillimisht duhen zgjedhjet”.

Por socialdemokratët në pushtet refuzojnë kategorikisht një zgjidhje të tillë, ndërsa shprehen se nuk do të lejojnë që vendi të bllokohet nga opozita.

“Përpjekjet për të bllokuar të ardhmen evropiane janë procedura të rrezikshme, antishtetërore nga DPMNE-ja dhe Mickoski. Populli maqedonas që është pro-evropian këtë nuk do ta falin. Koalicioni pro-evropian që udhëhiqet nga LSDM-ja nuk do t`i nënshtrohet sjelljeve të dëmshme, të papërgjegjshme dhe anti-shtetërore të DPMNE-së”.

Të premten në Kuvend përfundoi debati për ndryshimet kushteteuse, ku parashihet futja e bullgarëve dhe pesë bashkësive tjera etnike në Preambulë, kurse votimi është shtyrë deri në sigurimin e shumicës së domosdoshme prej dy të tretave të votave, të cilat mazhoranca në pushtet nuk i ka.

Klan Maqedonia