Maqedoni, MPB: 6 të dyshuar për vjedhjen e 2 ton marijuanë


Maqedoni, MPB: 6 të dyshuar për vjedhjen e 2 ton marijuanë

22:45 09/12/2020

Droga ishte vjedhur nga një firmë në Vallandovë

Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut kishte zbatuar një operacion 15 orësh në fshatrat e Shkupit, Haraçinë dhe Mojancë në kërkim të një sasie të madhe të marijuanës, që në mënyrë misterioze ishte zhdukur nga depot e një firme në qytetin e Vallandovës.

Policia në një konferencë të jashtëzakonshme për media njoftoi se është gjetur një pjesë e drogës, kurse disa të dyshuar janë arrestuar.

“Deri më tani kemi 6 persona të dyshuar për të cilët kemi siguruar dëshmi, por hetimi po zgjerohet dhe vazhdon. Në koordinim me Prokurorinë Themelore–Gjevgjeli vazhdojmë me marrjen e masave dhe aktiviteteve deri në zbardhjen e plotë të këtij rasti”, tha zëdhënësi i MPB, Toni Angelovski.

Merret vesh se nga depot në fshatin Josifovë të Vallandovës ishin vjedhur 2 ton kanabis. Vjedhja ishte kryer në orën 03:00 të mëngjesit. Policia kishte gjetur kamionin pa rimorkio në një vendparkim afër vendkalimit kufitar Bllacë. Hetimet më pas kanë vazhduar në fshatrat e Shkupit Haraçinë dhe Mojancë.

Firma ku është kryer vjedhja, nga viti 2018 posedon licencë për prodhimin e marijuanës. Vlerësimet thonë se 2 ton të vjedhur të marijuanës kushtojnë rreth 6 milionë Euro, kurse nëse prodhohet vaji i kanabisit çmimi do të arrinte në 10 milionë. Marijuana ishte bërë gati për prodhimin e vajit të kanabisit për përdorim mjekësor. Ende nuk ka një përgjigje se si kanë hyrë vjedhësit në këtë depo, që sipas ligjeve duhet të jetë e siguruar.

Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut, sot njoftoi se në një aksion tjetër ka konfiskuar 53 kilogram marijuanë në rrethinën e Prilepit. Në këtë aksion siç njoftohet është arrestuar një 46-vjeçar nga fshati Kalishtë i Strugës.

Klan Macedonia








Të ngjashme