Disa incidente me prapavijë politike të ndodhura javët e fundit si dhe sugjerime të vazhdueshme që vijnë prej përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare për fushatë të qetë parazgjedhore, kanë mobilizuar kreun më të lartë politik në Maqedoni. Për këtë qëllim liderët e 4 partive më të mëdha politike të dielën kanë realizuar një takim në të cilin kanë diskutuar mundësitë për evitim të incidenteve që tradicionalisht përcjellin proceset zgjedhore në Maqedoni.

Takimi i iniciuar nga Kryeministri Nikolla Gruevski, është vlerësuar konstruktiv si nga ana e partive në pushtet po ashtu edhe nga opozita.

Ali Mehmeti: “Në këtë takim mjaft konstruktiv të gjithë jemi të vetëdijshëm që këto janë zgjedhje mjaft të rëndësishme për Maqedoninë”.

Menduh Thaçi: “Mendoj se sot arritëm disa marrëveshje, në fillim i paraqita vërejtjet tona se ka ndikime politike në spastrimin e veprave penale të cilat janë bërë në zgjedhjet e kaluara”.

Me insistim të partive opozitare në takim është arritur marrëveshja që policia e cila në ditën e zgjedhjeve do të sigurojë procesin zgjedhor të mbaj uniforma me ngjyrë të posaçme për të evituar mundësinë e influencimit të votuesve. Takimet e liderëve të 4 partive më të mëdha politike në Maqedoni, tani 3 vite funksionojnë si institucion jo formal, në të cilin shqyrtojnë çështjet më të rëndësishme të politikës së brendshme dhe të jashtme shtetërore.

Çështja kryesore me të cilin do të jetë i preokupuar në javët e ardhshme, ky institucion jo formal, do të jenë zgjedhjet presidenciale dhe lokale të caktuara në 22 mars.

Gazetari: “Rrjedha pozitive e takimit të liderëve të 4 partive politike sot në Shkup, ka shtuar gjasat që Maqedonia të ketë një ciklës të rregullt zgjedhor në zgjedhjet e 22 marsit. Rregullshmëria e këtyre zgjedhjeve është kusht për integrimin e më tutjeshëm të Maqedonisë në strukturat euroatlantike.

Nga Shkupi për TV Klan Isen Saliu”./tvklan.al