Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë Talat Xhaferi nuk pret se dorëheqja e shefit të diplomacisë greke Nikos Kotzias mund të ketë ndikim në marrëveshjen e arritur mes Shkupit dhe Athinës zyrtare lidhur me emrin e Maqedonisë.

“Ministri i Punëve të Jashme ka dhënë dorëheqje për aspektin e qasjes që kanë pasë brenda qeverisë me pjesën opozitare, bile edhe me pjesën e koalicionit që janë brenda përbrenda qeverisë, që nënkupton se të dy palët kanë bërë kompromis për diçka, dhe vlerësimi është që askush nuk mundet për një periudhë goxha të gjatë, nuk mundet të vijë në një marrëveshje të re të mundshme dhe të pretendojë që do jetë edhe ma e mira”.

Duke folur për tensionet në parlament mes mazhorancës dhe opozitës, kryeparlamentari Xhaferi u shpreh se është optimist se palët do të gjejnë gjuhë të përbashkët. Sipas tij zgjedhjet e parakohshme nuk janë zgjidhje.

“Ka deputetë të shqetsum për fatin e popullit që jeton këtu, për fatin e vendit që duhet ta ketë statutin që duhet ta ketë në nismat në organizmat euroatlantike”.

Këto komente Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi i bëri në emisionin Klan Debat. Përndryshe, nesër kuvendi në Shkup duhet të vazhdojë seancën ku duhet të votohen ndryshimet Kushtetuese.

Tv Klan