Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Maqedonia në prag të zgjedhjeve presidenciale. Ne 31 Tetor maqedonasit do të zgjedhin se kush do të jetë Presidenti i ri. Nga pesë kandidaturat e spektrit politik për postin e Presidentit, dy kandidatura janë shqiptare. Muhamet Halili është kandidat i propozuar nga Partia për Prosperitet Demokratike e Maqedonisë. Ai është zv/ministër i Shëndetësisë në qeverinë aktuale maqedonase.

Halili po realizon një fushatë të mbyllur aktuale larg kamerave, por si pikë e fortë e fushatës së tij për president është fakti që gjatë periudhës që partia e tij merr pjesë në qeverisje në maqedoni janë punësuar rreth 1400 shqiptarë. Muhamet Halili është nga Manastiri, qytet ku shqiptarët përbëjnë rreth 10 përqind të popullsisë.

Kandidati tjetër për postin e presidentit në Maqedoni është Muharrem Nexhipi përfaqësues i PDS i Arbër Xhaferrit, parti e cila ka më shumë deputetë në parlamentin maqedonas. Nexhipi njihet si njeri i pasur pronar i shume firmave të ndërtimit. Dikur ai ka qenë kryetar i lobit shqiptar në Zagreb.

Në këto zgjedhje do të votojnë mbi 200 mijë shqiptarë. Megjithatë duket se nuk ka shance politike që ndonjë prej kandidatëve shqiptarë të zërë postin e Presidentit. Nëse në Maqedoni do të propozohej nga partitë shqiptare vetëm një kandidat atëhere ekzistonte mundësia që një shqiptar i Maqedonisë të zëvendësonte Kiro Gligorovin.

Por për spektrin shqiptar maqedon më e rëndësishme është të tregoj forcën elektorale mes partive sesa të synoj realisht për një integrim më të mirë në jetën maqedonase./tvklan.al

Gazetare – Mirela Milori