Maqedonia dhe Greqia bien dakord për çështjen e emrit, duke i dhënë fund dialogut tejet delikat. Varianti i pranuar nga të dyja palët është “Republika Ilindenase e Maqedonisë”.

Gjuha e përbashkët u arrit pas takimit të kryeministrit maqedonas Zoran Zaev dhe homologut të tij grek Aleksis Cipras në Samitin e Sofjes.

Shefi i qeverisë maqedonase mblodhi këtë të shtunë presidentin e vendit Gjorge Ivanov, kryeparlamentarin Talat Xhaferi dhe krerët e partive kryesore politike, për t’u komunikuar marrëveshjen e arritur me Athinën.

Me këtë zgjidhje të mundshme ruajmë dinjitetin dhe konfirmojmë e përforcojmë identitetin tonë maqedonas. Ilindeni është garanci për Maqedoni multietnike, tha Zoran Zaev.

Kryeministri sqaroi se varianti i pranuar do të përdoret ndërkombëtarisht.

Edhe kryeministri Aleksis Cipras informoi aktorët politikë në Greqi për arritjen e marrëveshjes, por opozita greke kundërshtoi akordin duke thënë se përfshirja e emrit të Ilindenit është e papranueshme dhe nuk i jep fund mosmarrëveshjeve Athinë Shkup.

Tv Klan