3100 viktima që nga shfaqja e Covid-19

Maqedonia e Veriut ka shënuar një vjetorin e betejës anti-covid. Më 26 Shkurt të vitit 2020 u regjistrua rasti i parë me COVID-19. Bëhej fjalë për një 50-vjeçare që ishte kthyer nga Italia.

Edhe pse fillimisht autoritetet e shëndetësisë thanë se do të ketë vetëm 2.000 të infektuar, aktualisht në Maqedoninë e Veriut janë mbi 101 mijë të prekur dhe mbi 3.100 viktima.

Në 1-vjetorin e rastit të parë, ministri Filipçe duke falenderuar punonjësit shëndetësor për përkushtimin dhe profesionalitetin, tha se vendi po bën përpjekje maksimale për të siguruar vaksinat.

“Furnizimi me vaksina për momentin është sfidë kryesor për vendet e botës, kurse 130 vende ende nuk e kanë filluar vaksinimin. Ne kemi arritur ta fillojmë vaksinimin e punonjësve shëndetësor, kurse shumë shpejtë do të fillojmë vaksinimin e qytetarëve”.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, në Gostivar ka lëshuar në përdorim spitalin Covid të lëvizshëm. Ai tha se situata në këtë rajon është stabile, por qytetet e tjera përballen me rritje të infektimeve si pasojë e virusit britanik.

“Kemi rritje të infektimeve në qytete tjera si në Kavadar, Prilep dhe Ohër ku në rritje është edhe numri i të shtruarve nëpër spitale. Qytetarët t`i respektojnë masat vecanërisht tani kur kemi shifra në rritje të infektimeve me variantin britanik të virusit”.

Në Maqedoninë e Veriut, nga tre mekanizmat e paralajmëruara, për momentin kanë arritur vetëm vaksinat “Pfizer” nga Serbia me të cilët po vaksinohet personeli mjekësor që është i angazhuar me pacientët Covid.

Imunizimi i tyre filloi para 10 ditëve, kurse vaksinimi masiv pritet të fillojë me vaksinat e prodhuesit kinez “Sinofarm” dhe vaksinat “Pfizer” në bazë të marrëveshjes me këtë kompani. Deri atëherë, qytetarët kanë mundësi regjistrimi për t`u vaksinuar në ueb faqen adekuate dhe tek mjekët amë.

Klan Macedonia