Qeveria nis përgatitjet për zgjedhjet e parakohshme

Kryeministri teknik, Oliver Spasovski thotë se po përgatitet protokolli i detajuar se si do të zhvillohet fushata zgjedhore dhe dita e zgjedhjeve. Ai pret që partitë politike javën e ardhshme ta caktojnë datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

“Do të përgatitet protokolli se si do të sillen subjektet politike pjesëmarrëse në fushatën zgjedhore, gjatë aktiviteteve parazgjedhore, por edhe në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve”.

Por data e zgjedhjeve do të varet edhe nga vlerësimi i Komisionit për Sëmundje Ngjitëse, KSHZ-së dhe OSBE-ODIHR-i. Anëtarët e KSHZ-së janë takuar me Presidentin Pendarovski, i cili ka kërkuar nga ata qëndrimin se sa kohë do të duhet që të përfundojnë aktivitetet zgjedhore dhe të shkohet në votime.

Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se fillojnë koordinimet me vendet fqinje për përballjen me koronavirusin. Siç thuhet, përgatitjet kanë për qëllim që në mënyrë të koordinuar të miratohen masa për zbutjen e restriksioneve dhe të sigurohen udhëtime të sigurta në vendet e huaja, kur kushtet do ta lejojnë një gjë të tillë.

Konform kësaj, qeveria e Maqedonisë së Veriut ka marrë vendim me të cilën lejohen udhëtimet për në vendet e huaja të personave zyrtar dhe të emëruar të shtetit. Në këtë vendim thuhet se për shkak të koordinimeve me vendet fqinje, për këto persona nuk do të zbatohet karantina shtetërore, pas kthimit në vend.

Tv Klan