Vaksinohen 260 mijë qytetarë

Kryeministri Zoran Zaev dhe Ministri i Shëndetësisë Venko Filiçe gjatë ditës së sotme pranuan 20 mijë doza të vaksinës AstraZeneca, donacion nga Greqia. Vaksinat arritën në aeroportin e Shkupit në kohën kur Kryeministri Zoran Zaev u kthye nga Brukseli, ku së bashku me Ministrin e Shëndetësisë, Venko Filipçe, bënë pranimin e të njëjtave.

“Sot nga miqtë tanë nga Greqia pranuam donacion prej 20 mijë doza të vaksinës AstraZeneca. Kjo mbështetje nga qeveria greke dhe qytetarët grekë ka një domethënie të madhe për ne, për ça edhe ju jemi falenderues. Solidariteti në mes vendeve miqësore gjatë pandemisë Covid tregon se sa e rëndësishme është për të gjithë ne të jemi të bashkuar në procesin e imunizimit sepse kjo është mënyra e vetme për të fituar një fitore kundër virusit Covid-19”, njoftoi Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe në rrjetin social Facebook.

Ndërkaq, dje në Maqedoninë e Veriut mbërriti një dërgesë e re me 12 870 doza të vaksinave “Pfizer”. Bëhet fjalë për dërgesë të rregullt, të cilën e marrim çdo të hënë, nga të cilat 8 190 doza janë nga marrëveshja dypalëshe me prodhuesin “Pfizer”, kurse 4 680 në kuadër të programit “Team Europe”. 

Ndërsa, rreth një javë më parë në Maqedoni arritën 30 000 vaksina nga kompania kineze “Sinovac”, të dhëna si donacion nga Turqia.

Nga Ministria e Shëndetësisë njoftojnë se procesi i imunizimit po zhvillohet sipas planit të paraparë. Në web aplikacionin për t’u vaksinuar janë paraqitur 450.634 qytetarë, ndërkaq deri në ditën e djeshme janë vaksinuar 259 935 qytetarë.

Tv Klan