Zgjedhjet Presidenciale në Maqedoninë e Veriut do të monitorohen nga një numër i madh vëzhguesish vendorë; nga delegacione të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së dhe nga Zyra për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut – ODIHR.

Kjo e fundit për zgjedhjet e gjashta presidenciale ka akredituar edhe numrin më të madh të vëzhguesve, gjithsej 279. Tre profesorët me përvojë pune me studentët, gjatë tri javëve të kaluara treguan aftësitë oratorike edhe para qytetarëve, për të kërkuar votën e tyre. Me agjendë të ngjeshur, takime me qytetarët, këngëtarë dhe aktorë nëpër tubime, debate televizive, në këtë mënyrë kaloi fushata për rrethin e parë zgjedhor.

Programet zgjedhore tashmë u prezantuan, kurse premtimet për të nesërme më të mirë ishin përsëritur çdo ditë. Për dallim nga tubimet e VMRO-DPMNE-së, koalicioni qeveritar kishte organizuar edhe tribuna ku edhe qytetarët ishin pjesëmarrës.

“Reka për Republikën” është motoja e kandidatit të vetëm shqiptar, i cili premton një shtet multietnik të së drejtës.

“Drejtësi për Maqedoninë” është thirrja e kandidates opozitare Gordana Siljanovska për t’u bërë gruaja e parë Presidente e Maqedonisë së Veriut, kurse ‘Bashkë përpara” motoja e kandidatit të koalicionit qeveritar Stevo Pendarovski, i cili kërkon përkrahje me theks të integrimeve euroatlantike. Mbi 1.8 milionë votues janë të regjistruar në listën zgjedhore.

Dy kandidatë me më shumë vota do të përballen në rrethin e dytë më 5 Maj. Presidenti i ri I vendit do të zgjidhet fituesi i rrethit të dytë, me kusht që në votime të dalin 40% e elektoratit.

Tv Klan