Pasi pastroi bojën dhe ndërroi xhaketën Edi Rama ashtu si Edi Paloka që nuk pranoi të dalë nga salla së bashku me 128 deputetë të tjerë votuan pro ratifikimit të protokollit për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO.

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, mirëkuptues pasi thotë se është i mësuar me skena të tilla edhe në parlamentin që ai drejton falënderoi klasën politike shqiptare për mbështetjen që i kane dhënë vendit të tij.

Kryeministri Rama tha se po linte modestinë dhe i njohu meritën qeverisë së tij për rolin që kishte për arritjen një momenti të tillë për fqinjin tonë lindor.

Kujtoj këtu se jo shumë larg në kohë, gjuha shqipe u bë mollë sherri në politikën e brendshme të vendit fqinj dhe e ashtuquajtura “platformë e Tiranës” u tregua si dora e djallit në punët e brendshme të Maqedonisë së Veriut. Ndërsa pak ditë më parë, Shkëlqesia e tij, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, i nderuari Talat Xhaferri drejtoi seancën historike të punimeve parlamentare në gjuhën shqipe.

Fjalimi i kryeministrit mori jo vetëm duartrokitjet e socialisteve, por dhe demokrateve Albana Vokshi dhe Flamur Noka. Ndërsa Lulzim Basha meritën më të madhe për ndryshimet që po ndodhin në Maqedoninë e Veriut  ia njeh vetëm faktorit shqiptar që jeton atje.

Rama dhe Basha shprehën dhe ngushëllimet për tragjedinë e ndodhur pasditen e të mërkurës ku pas rrëzimit të një autobusi në Tetovë humben jetën 14 persona mes te cilëve dhe shqiptarë.

Tv Klan