Ratifikimi i protokollit të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO ka marrë mbështetje të shumëanshme, edhe nga ata që kundërshtuan Marrëveshjen e Prespës, kushtit kryesor për këtë hap historik.

Presidenti Gjorge Ivanov shprehet në një deklaratë për shtyp se Maqedonia e meritoi bashkangjitjen në aleancën veri-atlantike si vendi i 30 anëtar, por ai shpreh keqardhje që anëtarësimi u bë me një marrëveshjeje që dëmton përgjithmonë interesat kombëtare të Maqedonisë.

Në të njëjtën linjë është edhe ish-Kryeministri në arrati Nikolla Gruevski. Ai e përgëzon anëtarësimin në NATO, por në një postim të gjatë në Facebook rendit 5 arsye pse marrëveshja për emrin e ri shtetëror është anti-kombëtare dhe duhet shfuqizuar.

Ndërsa Komisioneri Europian për Zgjerimin, Johannes Hahn shkroi në Twitter se anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO është kontribut për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Protokolli i pranimit që e bën Maqedoninë e Veriut anëtaren e 30 do të miratohet në parlamentet e 29 pjesëtarëve të tjerë të aleancës, duke nisur nga ai grek më 8 Shkurt.

Tv Klan