Shpresë se Bullgaria do të tërheqë veton në Bruksel

Përveç qëndrimit negativ të përfaqësuesit bullgar, në Këshillin e sotëm për punë të përgjithshme të Bashkimit Evropian, 26 vendet tjera anëtare kanë qenë të zëshme në qëndrimin se Maqedonia e Veriut padrejtësisht vazhdon të mbahet në sallën e pritjes për negociata aderuese, deklaroi sot shefi i diplomacisë Bujar Osmani. Pikërisht për këtë arsye ai do të kishte pritur edhe 2-3 ditë të tjera.

“Mundësia është teorike më 24 dhe më 25 Qershor në samitin e liderëve, duke pasur parasysh se për momentin Bullgaria ka kushte politike komplekse dhe vetëm Presidenti i shtetit ka mandat të plotë politik, kjo është mundësi që të tërhiqet vetoja, përkatësisht të merret vendim në vetë samitin e liderëve. Nuk është çështja nëse unë jam optimist ose jo, por është çështje e konstatimit të KE-së, të të gjitha 26 vendeve anëtare, se Republika e Maqedonisë së Veriut duhet t’i fillojë negociatat. Kjo është çështje e BE-së çfarë më tej me procesin.”

BE-ja pa Ballkanin perëndimor “ka vrimë të madhe në zemrën e saj”, konstatoi Osmani dhe shtoi se kjo mund të jetë arsye për destabilizim dhe marrëdhënie të dobëta ekonomike në kontinent dhe për këtë arsye thekson se Maqedonia e Veriut nuk do ta humbasë euro-entuziazmin e saj. Mysafirja e tij, shefja e diplomacisë suedeze An Linde nuk e fsheh zhgënjimin e saj nga veprimi i Bullgarisë.

“Si përfaqësuese e Qeverisë suedeze jam e zhgënjyer që ende nuk kanë filluar negociatat. Maqedonia e Veriut i ka plotësuar kushtet e nevojshme dhe negociatat duhet të fillojnë menjëherë. Besoj se negociatat është dashur të fillojnë që në mars të vitit 2020. BE-ja ka obligimet e saj ndaj Maqedonisë së Veriut dhe duhet t’i plotësojë. Bullgaria nuk duhet të bllokojë, çështja dypalëshe nuk duhet të jetë parakusht për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut.”

Me kërkesë të gazetarëve të sqarojë çfarë saktësisht ka propozuar delegacioni i Maqedonisë së Veriut gjatë javës së kaluar në Sofje dhe nëse në tryezë është vendosur çështja e gjuhës maqedonase, Osmani u përgjigj se të gjitha idetë dalin nga propozimi portugez për kompromis.

“Atje ka propozim edhe për dallimet që ekzistojnë në raport me gjuhën në kornizën negociuese dhe ne mendojmë se ai propozim është bazë e mirë për zgjidhje.”

Në lidhje me atë cila është zgjidhja për gjuhën në propozimin portugez, për momentin nuk ka informacione, përveç shumë spekulimeve në media dhe në opozitën politike në të dyja anët e kufirit.

Klan Macedonia