Ministri Osmani: Jemi të fokusuar në sigurinë e përbashkët

Ministrat e Punëve të Jashtme të NATO-s, sot për herë të parë pas një viti takohen në tryezë të përbashkët në Bruksel, për të biseduar rreth sfidave të reja të Aleancës. Shefi i diplomacisë Bujar Osmani para takimit theksoi se do ta përcjellë mesazhin te kolegët e tij se vendi, një vit pas anëtarësimit zyrtar, është i përkushtuar për vlerat e përbashkëta dhe për mbrojtjen e sigurisë në rajon. Sekretari i përgjithshëm Jens Stoltenberg, duke shprehur optimizëm se administrata e re amerikane do t’i përforcojë lidhjet trans-atlantike, në mesin e sfidave kryesore të Aleancës i numëroi “aktivitetet destabilizuese ruse, rritjen e Kinës dhe sulmet kibernetike”.

Mesazhi që Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani ua përcolli kolegëve të tij në tryezën e përbashkët në NATO, lidhet me dobinë e dyfishtë nga anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në Aleancë, para një viti, kontributi i vendit për përhapjen e vlerave të përbashkëta dhe përforcimi i bllokut në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

 “Se jemi në nivel të detyrës, se jemi krah më krah me aleatët tonë në mbështetjen e vlerave tona të përbashkëta dhe se jemi të fokusuar në mbrojtjen e sigurisë së përbashkët, përhapjen e vlerave të NATO-s në rajon, duke kontribuar në tejkalimin e përbashkët të sfidave”, tha Osmani.

Për sfidat e NATO-s, para fillimit të takimit ka folur Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg, duke theksuar se asnjë vend anëtar ose kontinent nuk mund të përballet i vetëm me ato.

 “Përballemi me sfida të mëdha globale, aktivitetet destabilizuese ruse, kërcënimet nga terrorizmi, sulmet kibernetike dhe përhapja nukleare, teknologjitë për pengim, përparimin e Kinës dhe pasojat e sigurisë nga ngrohja globale dhe ndryshimet klimatike. As Europa, as Amerika nuk mund të përballet vetë me këto sfida”, u shpreh Stoltenberg.

Këto qëllime, të përcaktuara në të ashtuquajturën “Iniciativa e NATO-s 2030” Stoltenbergu i vuri në dukje në fjalën përshëndetëse për Sekretarin e ri amerikan të Shtetit, Antoni Blinken, ku Sekretari i Përgjithshëm, tha se administrata e re amerikane  është e përkushtuar për ripërtërirjen e Aleancës dhe përforcimin e lidhjes trans-atlantike në NATO.

Klan News