Karaxhoski: Nuk përjashtohet mundësia e riinfektimit

Ministri i Shëndetësisë dhe kryetari i Komisionit për sëmundje infektive shprehin shqetësime për rritjen e numrit të infektimeve, teksa thonë se vendi ndodhet në valën e tretë, por nuk e shohin të arsyeshme të shtrëngojnë masat për momentin.

Filipçe tha se masa të shtuara eventuale priten në fillim të javës së ardhshme, ndërsa Karaxhoski bëri thirrje për kujdes, pasi nënvizoi se edhe pacientët që kanë kaluar virusin, mund të riinfektohen.

Vendi ndodhet në valën e tretë të virusit dhe për një muaj është vërejtur rritje për më shumë se 5 mijë raste aktive. Nëpër spitale gjendja është e rënduar, por situata është e menaxhueshme dhe për momentin nuk propozohen masa të reja restriktive.

Shtrëngim eventual të masave mund të pritet në fillim të javës së ardhshme, pas mbledhjes së Komisionit Për Sëmundje Infektive. Kështu deklaroi numri një i shëndetësisë Venko Filipçe, i cili tha se situata po ndiqet nga afër dhe vendimet merren në baza javore.

“Kjo masë aktuale, ndalesë e lëvizjes pas orës 22:00 duhet të mbetet e njëjtë, se nuk do të shtohet dhe se rezultatet definitive i presim nga fundi i kësaj jave. Gjatë fundjavës ose në fillim të javës së ardhshme, deri atëherë jemi të gatshëm t`i menaxhojmë të gjitha aktivitetet lidhur me spitalet, kapacitetet, akomodimet dhe në atë kuptim masa shtesë eventuale restriktive, nëse duhet, mund të merren pas mbledhjes së komisionit që do të mbahet në fillim të javës së ardhshme”, tha Filipçe.

Autoritetet bëjnë apel për kujdes nga ana e qytetarëve, duke theksuar se nuk përjashtohet as mundësia e riinfektimit tek pacientët që më herët e kanë kaluar virusin. Nga Komisioni për Sëmundje Infektive thonë se përderisa ekzistojnë më shumë se 4 mijë mutacione të virusit, ka shumë mundësi potenciale që pacientët të infektohen nga lloji i njëjtë apo nga ndonjë mutacion tjetër.

“Askujt nuk mund t’i themi se infektimi që ka kaluar para një periudhe të caktuar, nuk mund të sjell riinfektim me lloj të ri. Absolutisht bëhet fjalë për mundësi potenciale që në shtet të futet lloj i Afrikës së Jugut Brazilit, Çekisë, Sllovakisë, Norvegjisë ose të gjitha llojeve, nëse ajo është e mundur, po absolutisht është e mundur dhe puna e dytë është se me vetë të dhënat se ka më shumë se 4 mijë mutacione të virusit. Secila sëmundje nuk është e njëjtë kështu që edhe sëmundja tek një numër i caktuar i popullatës tonë tek ata 116 mund të vjen si pasojë e ndonjë lloji tjetër ose nga lloji i njëjtë por me përgjigje më të vogël imune nga organizmi”, u shpreh Karaxhoski.

Lidhur me vaksinat, autoritetet e shëndetësisë edhe njëherë thanë se pritet që ato të arrijnë nga fundi i këtij muaji apo në fillim të muajit të ardhshëm. Lidhur me kushtet e reja të nga kompania Fajzer tha se një gjë e tillë është në raport me të gjitha vendet e botës, pasi po rritet niveli i kujdesit.

Filipçe i siguroi qytetarët se të gjitha vaksinat që do të arrijnë në vendin tonë do të jenë të sigurta, ndërsa lidhur me AstraZeneca, Filipçe tha se po presin rekomandimet nga Agjencia Evropiane Mjekësore. Nëse pas takimit të nesërm do të thonë se kjo vaksinë është e sigurt, Filipçe tha se edhe ai vetë do të vaksinohej me AstraZeneca.

Klan News