Flamujt në gjitha institucionet shtetërore në Maqedoninë e Veriut u ulën në gjysmë shtize këtë të hënë për të respektuar vendimin e qeverisë për të shpallur 7 ditë zie për tragjedinë e Koçanit, ku humbën jetën 59 persona dhe u plagosën rreth 155 të tjerë nga zjarri që përfshiu klubin e natës “Pulse”.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari tha se gjendja e të plagosurve është e qëndrueshme dhe se vetëm 20 prej tyre janë në gjendje më të rëndë. Të plagosurit u vizituan në spitalin e Shkupit edhe nga kryeministri Hristian Mickoski. 9 prej të lënduarve u dërguan këtë të hënë në Turqi ndërsa të tjerë janë transferuar në Bullgari, Serbi, Greqi, Hungari dhe Lituani.
Sa u përket viktimave, të 59 trupat janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ku po kryhet autopsia. Deri tani janë identifikuar 35 prej tyre të cilët janë shumica të rinj nga nga Koçani dhe 4 nga Shtipi. Autoritetet kanë premtuar se janë duke punuar me shpejtësi që familjarët të marrin trupat e viktimave.
Ekipi i prokurorëve që po punon në hetimin për përcaktimin e shkaqeve të fatkeqësisë në Koçan është zgjeruar në 9, ndërkohë që autoritetet kanë identifikuar rreth 20 persona si përgjegjës për tragjedinë, nga të cilët rreth 15 janë janë ndaluar nga policia.
Mes tyre janë edhe menaxheri i lokalit të natës si dhe disa ish-zyrtarë të lartë të cilët dyshohet se kanë firmosur lejen e paligjshme për funksionimin e këtij biznesi. Mesditën e së hënës pati edhe një protestë në Koçan për nxjerrjen para drejtësisë të përgjegjësve.
“Kam mësuar se ky klub nate ka funksionuar pa standarde. Nuk kishte një licensë të rregullt dhe njerëzit po fitonin para. Kush është përgjegjës?”, shprehet Sasha Djenic, babai i një prej të mbijetuarve.
Kryetari i komunës së Koçanit Lupço Papazov nga VMRO-DPMNE dha dorëheqjen një ditë pas tragjedisë duke u shprehur se arsyet ishin morale. Ndërsa ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski tha se nuk sheh arsye për t’u larguar duke fajësuar qeveritë e kaluara.
“Kështu ka qenë për 15 vjet, me krim, me ryshfet, me korrupsion, në mënyrë të paligjshme, pa asnjë kusht”, thotë ministri i Brendshëm i RMV, Pançe Toshkovski.
Mes personave që humbën jetën ishin edhe anëtarët e grupit muzikor DNK dhe një efektiv policie në detyrë. Për tragjedinë edhe Bullgaria fqinje ka shpallur të martën ditë zie në shenjë solidariteti.
Tv Klan