Maqedonia e Veriut pa Diellin e Vergines

Maqedonia e Veriut pa Diellin e Vergines

15:51 13/08/2019

Fshihet nga përdorimi publik simboli i flamurit

Gjashtë muaj pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Prespës, prej sot nga përdorimi publik gradualisht duhet të fillojë “fshirja” e diellit Vergina, simboli i flamurit të parë shtetëror të Maqedonisë, menjëherë pas pavarësimit, nga i cili nuk duan të heqin dorë as opozita as diaspora maqedonase. Këtë dispozitë nga Marrëveshja e Prespës, opozitarja VMRO-DPMNE e sheh si nënçmuese për popullin maqedonas.

Me dimensione të vogla ose të mëdha, e gdhendur në sheshe, mure ose suvenire, e endur në qilima ose në flamurin shtetëror, Dielli nga Vergina ose nga Kutleshi, emri sllav për lokacionin në Greqinë e sotme veriore, gati tri dekada është një nga simbolet më të përdorura, për vetëidentifikim politik, etnik ose gjeografik.

Pasi u zgjodh simbol i flamurit shtetëror, menjëherë pas pavarësimit të Maqedonisë në vitin 1991, ndërsa nën presionin e Greqisë u ndryshua në vitin 1995, si duket “Vergina” gradualisht do të fshihet nga institucionet shtetërore dhe hapësirat publike, ashtu siç urdhëron Marrëveshja e Prespës për përdorim me kompromis të emrit Maqedoni, dhe ndarje të historisë të rajonit gjeografik me emër të njejtë, e cila hyri në fuqi më 12 Shkurt të këtij viti.

“Pala e dytë nuk do t’a përdorë në çfarëdoqoftë mënyre ose në çfarëdoqoftë forme simbolin i cili më parë ishte në flamurin e saj të mëparshëm shtetëror. Në afat prej 6 muajsh pas hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshje, pala e dytë do të mënjanojë simbolin, pjesë e flamurit të saj të mëparshëm shtetëror, nga të gjitha hapësirat publike dhe nga përdorimi publik në tërë territorin e saj. Kjo dispozitë nuk i mbulon artefaktet arkeologjike”, thuhet në dokumentin e Marrëveshjes së Prespës.

Por, jo të gjithë pajtohen me mënjanimin e diellit me 16 rreze. Opozitarja VMRO-DPMNE, udhëheqësit e së cilës e vlerësuan si të dëmshme Marrëveshjen e Prespës dhe disa herë paralajmëruan ndryshimin e saj, në qoftë se partia kthehet në pushtet, fshirjen e Verginës e llogarisin si nënçmim të popullit maqedonas, sepse siç pohojnë, simboli nuk është grek.

“Kur të fillojë të zbatohet kjo marrëveshje, tash me diellin nga Vergina, më tej edhe nenet tjera të Marrëveshjes së Prespës, do t’a shihni sa i nënçmuar është populli jonë maqedonas. I nënçmuar, dinjiteti ynë është i nënçmuar. Vetëm ne duhet të kemi kujdes, ata jo. Unë nuk mund t’ju kuptoj. Përse ata kanë të drejta ekskluzive, ai nuk është simbol grek, ata e kanë përvetësuar si simbol grek”.

Kryeministri Zoran Zaev është i bindur se Marrëveshja e Prespës që u arrit me ish-Kryeministrin grek Alexis Tsipras, të cilën më shpesh e quan hap historik, është e drejtë dhe e hap rrugën e Maqedonisë për anëtarësim në NATO dhe në BE, proces i cili më parë ishte i bllokuar me vite për shkak të vetos greke dhe mospajtimet me emrin kushtetues të vendit, por edhe me simbolet të cilat për Athinën janë pjesë e trashëgimisë kulturore greke.

“Greqia ishte vendi i parë që e nënshkroi protokollin për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut për anëtarësim me të drejta të plota në NATO, qëllimi jonë strategjik. Këtyre ditëve miku im dhe i jonë Alexis i bëri thirrje BE-së të fillojë negociatat për anëtarësim të vendit tonë”.

Por, “fshirja” e Verginës si duket nuk do të jetë proces i lehtë, edhe pse para tri dekadave për pjesën më të madhe të qytetarëve ishte simbol tërësisht i panjohur.

Para 10 ditësh, dy grupe të ardhur në manifestimin e festës kombëtare Ilinden në Krushevë, njëri me flamurin zyrtar shtetëror, tjetri me flamurin e mëparshëm – me Verginën, iu shmangën incidentit të ndërsjellë, për shkak të dallimeve në interpretimin e politikës, simboleve dhe ndryshimeve të emrit kushtetues në Maqedonia e Veriut, pas insistimeve greke.       

Tv Klan                                         

Të ngjashme
UKT