Nesër 100 mije doza “Pfizer”, në fundjavë 250 mijë doza kineze

Nesër rreth 100 mijë vaksina “Pfizer”, ndërsa gjatë fundjavës dy avionë me nga 250 mijë doza të vaksinave kineze kundër Covid, pritet të arrijnë në Maqedoninë e Veriut. Kështu njoftoi numri një i shëndetësisë Venko Filipçe, duke nënvizuar se të njëjtat pritet të lëshohen në përdorim gjatë javës së ardhshme.

“Vaksinat kineze të gjitha së bashku me dy avionë arrijnë më datë 27 të dielën, në orën 14 dhe 16, nga 250 mijë dhe ulen në aeroportin këtu në Shkup. Është bërë tashmë plani për vendosjen e vaksinave. Besoj se do të lëshohen në përdorim të hënën ose të martën. Pfizer duhet të arrijë gjatë ditës së nesërme, ato janë rreth 100 mijë vaksina dhe vijnë përmes mekanizmit COVAX.”

Ai tha se vlerësimet e autoriteteve shëndetësore dhe gjendja në vendet përreth tregon se për momentin nuk ekziston ndonjë rrezik i madh për ndonjë valë të re të virusit korona, por kjo nuk nënkupton se nuk duhet pasur kujdes. Paralajmëroi vaksinim me ritëm të përshpejtuar në të gjitha pikat e vaksinimit.

“Tani për tani vlerësimi ynë dhe gjendja në vendet përreth ka treguar se nuk ekziston ndonjë rrezik i madh për ndonjë valë të re, tani për ndonjë kohë të afërt, por kjo nuk nënkupton se nuk duhet të jemi të kujdesshëm, prandaj e ndjekim situatën nga afër. Në disa vende, ka raste të qytetarëve të infektuar me llojin indian, edhe përskaj faktit që janë të vaksinuar, ajo që është e mirë është se në përqindje të madhe mbi 98%, ato raste nuk kërkojnë hospitalizim.”

Mësimdhënësit që nuk janë vaksinuar deri më tani, bëjnë pjesë në grupin prioritar për vaksinim, me qëllim që siç theksoi Filipçe, të përgatitet terreni për mësim me prezencë fizike nga 1 Shtatori.

Klan Macedonia