ASH-Alternativa: Nuk përjashtojmë bisedimet edhe me BDI-në

Të hënën nga ora 19:00 koalicioni ASH-Alternativa përmes një proteste, sikundër quhet “Marshi për Demokraci”, do të shpreh revoltën, siç thuhet, kundër parregullsive zgjedhore dhe shkeljes së vullnetit të qytetarëve.

“Marshi për Demokraci më shumë se protestë, është një shprehje publike e vullnetit të qytetarëve shqiptarë të RMV-së, e cila në zgjedhjet e fundit konsideron se seriozisht është dëmtuar demokracia dhe mënyra e shprehjes së vullnetit të lirë të qytetarit shqiptar”.

Sipas organizatorëve marshi protestues do të përfundojë para Zyrës së BE-së në Shkup, për të çuar mesazhin se nëpërkëmbja e vullnetit të qytetarëve është në kundërshtim me parimet evropiane.

“Një vend i cili po i fillon negociatat për të qenë anëtar i BE-së nuk guxon të lejojë që një pjesë e qytetarëve të vendit të privohen nga e drejta për të zgjedhur dhe për të qenë të zgjedhur që është e drejta elementare njerëzore dhe politike në BE”.

Koalicioni ASH-Alternativa nuk kanë përjashtuar mundësinë që të negociojnë apo të bëhen pjesë e koalicionit qeveritar ku do të merrte pjesë edhe BDI-ja. Edhe pse kjo është e vështirë për këtë koalicion një opsion i tillë nuk përjashtohet.

“Ne nuk përjashtojmë askënd, kontaktet me të gjitha partitë politike kanë qenë dhe vazhdojnë, normale, nuk ka asgjë të re apo ekskluzive që mund të ju themi”.

Organizatorët e protestës thanë se simbolet e këtij marshi do të jenë vetëm flamurët partiak dhe flamuri kombëtar shqiptar, ndërsa sloganet do të jenë të lidhura vetëm për mbrojtjen e demokracisë.

Çdo simbol tjetër që shpreh fobie, urrejtje ose fyerje, siç thanë, do të jetë kundërshtim me marshin. Ata janë zotuar se do të respektojnë rekomandimet e autoriteteve shëndetësore, për mbajtjen e pajisjve mbrojtëse dhe të distancës. 

Klan Macedonia