Në Maqedoninë e Veriut mbahet raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale. Në zgjedhje, të drejtë vote kanë 1.808.131 votues. Siç ka njoftuar Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, deri në ora 13:30 kanë votuar 20.45% e votuesve. Gjatë ditës kanë votuar edhe kandidatët presidencialë. Blerim Reka, kandidati shqiptar, pas votimit ftoi qytetarët që masivisht të dalin në votime.

Kandidati i koalicionit qeveritar Stevo Pendarovski bëri thirrje për zgjedhje të qeta, siç tha, të një vendi që së shpejti do të bëhet pjesë e familjes euroatlantike.

“Pres një ditë të qetë zgjedhore, siç i ka hije një shteti evropian. Pres dalje masive, për shkak se qytetarët e dinë se nuk bëhet fjalë për zgjedhje individuale, por për një koncept që RMV-ja duhet të vazhdojë të zhvillohet”

Kandidatja e opozitës, Gordana Siljanovska bëri thirrje që me këto zgjedhje të tregohet kapaciteti demokratik i vendit.

“Shpresoj se përfundimisht do të dalim nga labirinti i tranzicionit dhe do të hyjmë në tranzicionin demokratik. Fushatën e kam ngjyrosur me dituri, përkushtim dhe argumente për të dëshmuar se ne gratë kemi kualitete të veçanta”

Në gjithë vendin nuk janë raportuar incidente apo shkelje të së drejtës së votës, përveç disa problemeve të natyrës teknike që nuk kanë ndikuar në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Këto janë zgjedhjet e gjashta presidenciale në vend që nga pavarësia në vitin 1991.

Tv Klan