Maqedonia e Veriut, zgjedhje të parakohshme më 12 Prill

Posta

Maqedonia e Veriut, zgjedhje të parakohshme më 12 Prill

20:56 20/10/2019

Vendimi pas takimit të liderëve të partive

Partitë politike parlamentare në Maqedoninë e Veriut, pas takimit tek Presidenti Pendarovski janë dakorduar që zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbahen më 12 Prill të vitit të ardhshëm. Kështu deklaroi para gazetarëve Kryeministri Zoran Zaev. Ai shtoi se qeveria teknike do të formohet më 3 Janar.

“Vijnë zgjedhjet e parakohshme ku do të fitojë VMRO-DPMNE-ja, kurse pas kësaj duhet punë, të kthejmë atë që kemi humbur periudhën e kaluar”, ka theksuar lideri i opozitës Hristijan Mickoski.

Lideri i BDI-së Ali Ahmeti, pas takimit deklaroi se partitë janë dakorduar të mos cënohet rruga euroatlantike e vendit dhe zgjedhjet të kalojnë në frymën demokratike.

Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela tha se 12 Prilli do të jetë data e kthimit të ndryshimeve dhe demokracisë në vend.

Lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi tha se data e zgjedhjeve përputhet me regjistrimin e popullsisë, por se liderët janë përcaktuar për zgjedhje të parakohshme.

Kreu i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, vlerësoi se është populli ai që duhet të vendos për rrugën e ardhshme të vendit.

Nga ana tjetër, kreu i Alternativës, Afrim Gashi theksoi pas takimit se 12 Prilli do të jetë një ditë feste ku do të vijë ndryshimi edhe për shqiptarët.

Paraprakisht, liderët me konsensus kanë konfirmuar përcaktimin që Maqedonia e Veriut të vazhdojë rrugën drejt Bashkimit Evropian, pa marrë parasysh refuzimin për datën e negociatave në Samitin e Brukselit. Ky përcaktim, siç tha Presidenti Pendarovski është opsioni që nuk ka alternativë.

Tv Klan


Reklama
Grupi
LAJMET

Të ngjashme

Reklama
UKT
Grupi
UKT