Presidenti Ilir Meta ka përshëndetur nënshkrimin e protokollit për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, pas marrëveshjes së arritur me Greqinë për ndryshimin e emrit.

Në një postim në rrjetet sociale, Presidenti Meta thotë se anëtarësimi i Republikës së Maqedonisë së Veriut do të rrisë sigurinë dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit.

“Shqipëria dhe 28 aleatët nënshkruan sot protokollin e anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në #NATO! 

Urime udhëheqësve politikë vizionarë dhe qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut për këtë arritje të merituar, që nxit përparimin e mëtejshëm të vendit, rrit sigurinë dhe stabilitetin rajonal dhe forcon Aleancën e vlerave të përbashkëta Trans-Atlantike. Vendimi i duhur në kohën e duhur”,

shprehet Presidenti Ilir Meta.

Protokolli për anëtarësimin në NATO të Republikës së Maqedonisë së Veriut u nënshkrua ditën e sotme në Bruksel pas ratifikimit të marrëveshjes mes Greqisë dhe Maqedonisë për ndryshimin e emrit të kësaj të fundit.

/tvklan.al