Ethet e referendumit për marrëveshjen për emrin me Greqinë, në Maqedoni kanë nisur të ndihen që tani, rreth një muaj përpara. Kryeministri Zoran Zaev ka nisur bisedimet për të tërhequr sa më shumë parti politike rreth kauzës së tij.

“LSDM-ja si parti politike përpiqet të hyjë në koalicion me sa më shumë parti dhe nga kjo do të varet edhe buxheti i lëvizjes ose koalicionit të partive politike me të cilat do të përfaqësohemi bashkë. Duhet t’a shfrytëzojmë shansin historik pasi nuk është e lehtë që pas 27 vitesh të arrihet një marrëveshje për një çështje kaq të ndjeshme me Greqinë, që na hap dyert e Bashkimit Europian”.

Ndërsa lideri i opozitës Kristian Miçkovski pret që referendumi të dështojë dhe qeveria e qendrës së majtë të bjerë për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme. VMRO-DPMNE, partia kryesore opozitare është kundër marrëveshjes për emrin që sipas saj, e shndërron Maqedoninë në një shtet satelit të Greqisë.

Shpresat janë që referendumi konsultativ dhe jo me fuqi detyruese ligjore, të fitojë mbështetjen popullore më 30 Shtator. Sondazhet tregojnë se partitë shqiptare që e mbështetsin marrëveshjen e nënshkruar në Prespë më 17 Qershor mes Shkupit dhe Athinës do të kenë rol kyç në suksesin e referendumit.

Marrëveshja është kusht për integrimin e Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Europian.

Tv Klan