Sofja: Uluni në bisedime dhe zbrisni me këmbë në tokë

Presidenti maqedonas Stevo Pendarovski u shfaq pesimist se Bullgaria do ta hiqte veton për negociatat deri më 17 Nëntor, afati i ri i shtyrë nga presidenca gjermane me qëllim gjetjen e një kompromisi mes dy shteteve.

Sipas Pendarovskit, për momentin gjërat nuk po shkojnë në drejtimin e duhur megjithatë shanset për t’i nisur bisedimet me BE në Dhjetor janë minimale.

“Bullgaria në këtë moment vepron sikur e ka vendosur që të bllokojë rrugën tonë drejtë BE-së. Jam i shqetësuar se vendi mund të hyjë në një rrugë pa krye nëse Bullgaria nuk heq dorë nga bllokada dhe ne nuk hapim negociatat me BE-në gjatë presidencës gjermane. Nuk do dua të paragjykoj situatën sepse ata e shtynë mbledhjen e Këshillit të ministrave për çështje të përgjithshme për në datë 17 Nëntor. Deri atëherë kemi mbi dhjetë ditë ku mundet të gjendet një zgjidhje e përbashkët”.

Nga ana tjeter, në Sofje zv/Kryeministri dhe ministri i Mbrojtjes Krassimir Karakachanov hodhi poshtë akuzat e Zoran Zaev pasi sipas tij një kusht që duhet plotësuar është zgjidhja e çështjeve dypalëshe. Parashikimi i tij është që vetoja bullgare do të jetë një dush i ftohtë për maqedonasit.

“Mesa duket Kryeministri Zoran Zaev dhe ministrat e tij nuk i lexojnë dokumentet që nënshkruajnë. Shpresoj se ky dush i ftohtë do t’i ndihmojë maqedonasit të dalin nga iluzionet dhe të ulen në dialog të sinqertë pasi kemi një histori të përbashkët dhe flasin të njëjtën gjuhë. Kjo është ajo që unë pres. Nëse jo, nuk ka problem, ne nuk kemi nxitim. Ata kanë pritur Greqinë për 28 vjet radhazi. Ne jemi gati për bisedime po aq të gjata. Nuk mund ta kuptoj pse disa vëzhgues të jashtëm po ngatërrojnë rolet. Bullgaria nuk po aplikon për anëtarësim. Ne jemi vend anëtar, Maqedonia po aplikon për anëtarësim në BE”.

Karakachanov tha se duhet të ketë një dokument të shkruar pasi ai nuk u beson deklaratave te politikanëve të Shkupit.  Maqedonasit shpresojnë se me ndërhyrjen gjermane në Dhjetor do të arrijnë të mbajmë konferencën e parë ndërqevertiare me BE-në.

Kryeministri Zaev tha se më 5 Dhjetor historianët do të vijojnë të punojnë për tejkalimin e dallimeve për historinë, heronjtë dhe gjuhën.

Klan Plus