Maqedonia do të anëtarësohet në NATO vetëm pas përmbushjes së plotë të marrëveshjes me Greqinë… me shumë mundësi vitin e ardhshëm. Mesazhin ia dha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltemberg, kreut të qeverisë maqedonase Zoran Zaev, gjatë takimit në Bruksel.

“Pres që në samitin pas dy-javësh, të ftoheni në negociata për anëtarësim. Ndërsa pas finalizimit të marrëveshjes, të hyni në NATO. Pa e finalizuar, kjo nuk mund të arrihet”.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, Zaev i lëshoi edhe një mesazh maqedonasve, të cilëve u duhet të shprehen me referendum në vjeshtë për marrëveshjen.

“Marrëveshja me Greqinë hapi procesin për të qenë pjesë e NATO-s. Në një vit, vendi ynë arriti atë që askush nuk e parashikonte. Le t’i themi “Po” të ardhmes tonë”.

Por ratifikimi i marrëveshjes me Greqinë po përballet me refuzimin e presidentit Ivanov për ta dekretuar. Kryeparlamentari Talat Xhaferi njoftoi se javën e ardhshme do ta hedhë marrëveshjen për ratifikim për herë të dytë. Ai u shpreh se priste që presidenti të mos e dekretonte sërish, këtë herë në shkelje të Kushtetutës. Ndaj i bëri thirrje të mos mbajë peng të ardhmen europiane të vendit.

Tv Klan