Korriku, muaji me bilancin më negativ

Autoritetet e shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut duke bërë bilancin e 24 orëve të fundit kanë njoftuar për 74 raste të reja me Covid-19, për 3 viktima dhe 90 të shëruar.

Në total raportohet për 11.128 të prekur, për 500 viktima dhe për 3656 raste aktive. Fundjava e zgjatur për shkak të festave u ka sjellë mjaft telashe autoriteteve shëndetësore në vend. Disa xhirime që janë bërë virale nëpër rrjetet sociale tregojnë plazhet e Ohrit ku nuk respektohen masat.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, përmes Facebook-ut edhe një herë u bëri thirrje kryesisht të rinjve që t’i zbatojnë rekomandimet duke tërhequr vërejtjen se plazhet lehtë mund të zëvendësohen me spitalet.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë gjatë Korrikut në Maqedoninë e Veriut janë evidentuar 4449 raste të reja me Covid-19. Janë shënuar 182 viktima, kurse raportohet për 4084 të shëruar. 

Për dy muaj, nga 1 Qershori e deri më 1 Gusht, në Maqedoninë e Veriut kanë humbur jetën gjithsej 357 të prekur nga Covid-19. Mesatarisht në muaj nga ky virus kanë vdekur 176.5 persona, kurse në ditë 2.9 persona.

Kjo, sipas autoriteteve shëndetësore të Shkupit, tregon trendin e rrezikshëm të Covid-19, i cili përshkallëzoi sidomos në muajin Maj, pas mospërmbajtjes ndaj masave të sigurisë gjatë kremtimeve të festave fetare. Tani, në periudhën e ardhshme, siç njoftohet, priten rastet që burojnë nga fushata e zgjedhjeve të mbajtura më 15 Korrik.

Tv Klan