Diego Armando Maradona debuton me fitore si trajner i Dorados de Sinaloa, skuadër e kategorisë së dytë meksikane.

Një triumf me rezultatin 4 – 1 ndaj Cafetaleros Tapachula, i pari në këtë sezon. Emocionet e legjendës argjentinase ishin të mëdha dhe për këtë ESPN kishte vendosur gjatë të gjithë kohës një kamera që ta vëzhgonte. Sulmuesi nga Ekuadori, Vinicio Angulo, ishte më i spikaturi në këtë përballje me 3 gola të shënuar. Në fund të takimit ishte festa me tifozët, e ngjashme me atë të përfaqësueses islandeze.

“Disa thonin se Maradona nuk bënte për asgjë, por tani e panë çfarë mund të bëj. Gjithësesi nuk kemi fituar ende asgjë, është vetëm një ndeshje. Duhet të luajmë shumë të tjera. Është vetëm një ëndërr e bukur që sapo ka nisur”, tha Diego Armando Maradona.

Në karrierën e tij si futbollist Diego Armando Maradona fitoi shumë, por kjo nuk ka ndodhur ende si trajner. Ai nuk ka treguar aftësi të mira, duke mos arritur të bëjë mirë edhe kur mori përfaqësuesen e Argjentinës nga 2008 deri në 2010.

Tv Klan