“Maratona e Këngës” mbyll udhëtimin e saj në skajin më jugor të Shqipërisë, në Konispol.

Fillimisht, ishin përmetarët ata që në fundjavë pritën artistët e kësaj ngjarjeje muzikore.

Ishte hera e parë që “Maratona e Këngës” vinte në këtë qytet dhe kjo u bë e mundur falë bashkëpunimit me Bashkinë e Përmetit dhe nën kujdesin e kryetarit Niko Shupuli.

Qyteti i trëndafilave dhe i muzikës, me emra si Mentor Xhemali, Laver Bariu e Ylli Zeqiri, duartrokiti në sheshin kryesor artistët mysafirë ku nuk munguan as këngët më të bukura përmetare.

Një ditë më pas “Maratona e Këngës” zbriti në Konispol, një nga bashkitë më të vogla në Shqipëri, por me tregues shumë inkurajues ekonomik .

Edhe për banorët e Konispolit ishte hera e parë që muzika më e mirë shqiptare ajo e traditës dhe moderne bashkë më ekipin e Televizionit Klan mbërrinte aty për të mbajtur koncertin e fundit të edicionit të 9 të “Maratona e Këngës”.

Për këngëtarët pjesëmarrës ishte rezervuar një pritje dhe feste e madhe e organizuar nga Bashkia e Konispolit me kryetar Shuaip Beqiri.

Pas 3 orë muzikë nga emrat më të njohur të muzikës tradicionale e moderne, kënga e vallja vazhdoi deri në orët e para të mëngjesit, me protagonistë banorët, dashamirës të muzikës shqiptare. Tv Klan