Maratonisti bullgar Krasimir Georgiev, ka arritur në Tetovë në kuadër të sfidës së tij për të vrapuar nga qyteti Varna i Bullgarisë, përmes Maqedonisë dhe të përfundojë në Durrës të Shqipërisë. Ai tashmë dhjetë ditë është duke vrapuar kurse synon të kalojë 1 000 kilometra. Projekti për këtë maratonë mbahet nën moton “Konektivitet” dhe është nën patronazhin e tre Kryeministrave Bojko Borisov, Zoran Zaev dhe Edi Rama.

Pas Shkupit, maratonisti bullgar Krasimir Georgiev, arriti në Tetovë. U prit nga përfaqësues të Komunës së Tetovës, të cilët organizuan edhe një pritje modeste për të.

Krasimir Georgiev, i cili tashmë dhjetë ditë është duke i sfiduar kilometrat, mes tjerash theksoi se qëllimi i kësaj maratone është që përmes sportit të dërgohen mesazhe bashkëpunimi e mirëqenie ekonomike mes tre vendeve.

“Jam një njeri që sfidoj kauza të ndryshme. Fillimisht ishte si një ide, ishte një ikje, këtë e flisnim me kolegët e mi. Ky qëllim është i rëndësishëm për Bullgarinë për Maqedoninë, për gjithë rajonin. Kjo është dita e 10 që kam filluar këtë rrugëtim”.

Ndryshe edhe në Shkup, Ministri i Financave Dragan Tevdovski, Kryebashkiaku i Shkupit Petre Shilegov dhe përfaqësues nga Federata e Atletikës së Maqedonisë kanë përkrahur maratonistin bullgar Krasimir Georgiev, i cili synon të kalojë 1 000 kilometra, në 20 qytete të Bullgarisë, Maqedonisë dhe Shqipërisë. Qëllimi është që të dërgohet një mesazh dhe përmes sportit të bëhet  lidhshmëria e ekonomive dhe qytetarëve të tria vendeve. Korridori 8 lidh Detin Adriatik dhe të Jonit, kurse kalon edhe përmes Maqedonisë së Veriut.

Tv Klan