Rubrika “Gjysma Ime” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan kësaj here nisi krejt ndryshe. Stafi i emisionit kaloi disa ditë pushime në një nga resortet më të mira në botë i cili ndodhet në Turqi, por atje rastisën edhe dy miq tepër të njohur dhe të dashur për të gjithë. Ata janë kujdesur për mëse 20 vjet që të sjellin magjinë në evente me prekjet e tyre, pasionin dhe përkujdesjen duke e shndërruar çdo ditë të veçantë në një ëndërr.

Bëhët fjalë për Armand Pezën dhe Marçela Latin, çiftin e njohur që me biznesin e tyre, “Geraldina Sposa” kanë lënë gjurmën në ngjarjet e veçanta të njerëzve që i kanë zgjedhur të kurojnë ditën e tyre. Rrëfimi i tyre nis krejt zakonshëm, ndërsa Ardit Gjebrea i drejtohet për t’i marrë me një makinë për të shëtitur rreth resortit të mahnitshëm, i cili është edhe një ndër të preferuarit e Marçelës dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve të rubrikës në një rrëfim për miqësitë, marrëdhëniet me njëri-tjetrin, punën, fëmijët e më shumë.

Ardit Gjebrea: Kush mërzitet më shpejt nga ju të dy, edhe me njëri-tjetrin?

Armand Peza: Marçela.

Marçela Lati: Mandi nevrikoset më shpejt, unë mërzitem më shpejt.

Ardit Gjebrea: Po kush mban më gjatë mëri?

Marçela Lati: Fillimisht kam qenë unë, isha shumë më kokëderre, pastaj duke u rritur kuptova që më merrte shumë energji kjo gjë dhe fillova të bëhesha më e qetë. Kurse tani, me kalimin e viteve, ka filluar Mandi të bëhet më kokëderr se thonë që veset dalin në pleqëri.

Ardit Gjebrea: Është Mandi më gërnjar apo je ti më zevzeke?

Marçela Lati: Unë jam zevzeke për gjëra të caktuara, por Mandi është më gërnjar të puna kryesisht, por puna na ndikon edhe në gjërat e tjera të caktuara.

Armand Peza: Epo duhet thënë edhe ajo tjetra, ne hallin e shtëpisë asnjëherë nuk e çojmë në punë, halli i punës edhe vjen në shtëpi.

Marçela Lati: Po pra po, këtë e dimë, na e ke bërë këtë klishenë…kush nuk e ka mësuar këtë gjë.

Armand Peza: Shënojeni kush nuk e ka mësuar.

Ardit Gjebrea: Çfarë është një gjë që fëmijët e kanë marrë nga ju dhe ju vjen keq që e kanë marrë këtë gjë?

Armand Peza: Na vjen keq neve apo atyre?

Ardit Gjebrea: Juve, që pse e kanë marrë këtë gjë. Pra, në mënyrë elegante ju pyeta cilat janë të metat tuaja dhe ndonjë që kanë marrë fëmijët?

Marçela Lati: Kaltra, vajza, është kombinim i shkëlqyer i të dyve. Do thoja sikur i kemi zgjedhur ne për të cilësitë tona. Ndërsa mua më vjen keq që Joni i do shumë njerëzit dhe jepet shumë, investohet, kurse Kaltra është më racionale dhe kjo gjë do ta ndihmojë në jetë, nuk do të vuajë shumë, kurse Joni do të vuajë pak më shumë.

Armand Peza: Shpërthyes pastaj si mua, impulsiv, e ka këtë.

Marçela Lati: Është edhe i butë.

Armand Peza: Mirë, është empatik.

Marçela Lati: Pastaj të metat tona. E di se çmë tha një ditë vajza ime? Për të vëllain, më tha “mami, duhet të punosh pak me të se ai ia tregon shumë shpejt pikat e dobëta njerëzve dhe njerëzit do ta godasin gjithmonë aty”. Dhe unë i thashë “në rregull, po pika jote e dobët kush është?”. Tha “pse mendon që do ta them meqë je mamaja ime? Pika ime e dobët është që nuk kam pikë të dobët”, pra mua vajza ime më mësoi që mos t’i tregoj pikat e dobëta, kështu që as unë nuk do të doja t’i tregoja të metat apo pikat e mia të dobëta./tvklan.al